Sot skadon afati i PDK’së për ujdi rreth shpërndarjes së Kuvendit – Kurti drejt mandatit të plotë?

by Nexhat

PDK-ja insistoi këto ditë që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi ishte optimist se do të merreshin vesh për këtë, pas një darke me kryeministrin. Sot ai, sipas të gjitha gjasave, do ta shpallë fundin e kësaj përpjekjeje, përveç nëse Albin Kurti ka vendosur ndryshe. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk u pajtuan me këtë – ata kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë.

S’ka më kuptim të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, sipas PDK-së, e cila insistoi këto ditë që të gjitha partitë politike të merreshin vesh që Kuvendi të shpërndahet të enjten.

Meqenëse duket se nuk do të ketë marrëveshje për këtë, shpërndarja e Kuvendit me shumë gjasa nuk do të ndodhë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha të hënën se kishin mbetur vetëm edhe dy ditë që të gjendej një dakordim në mënyrë që zgjedhjet të mbaheshin më 30 qershor apo 7 korrik, dy datat e propozuara nga partia më e madhe opozitare.

“Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, kanë mbetur edhe dy ditë realisht që vendit tonë t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor apo 7 korrik. Pa dyshim që këto dy ditët e ardhshme do t’i japin një epilog kësaj çështjeje”, tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke paralajmëruar se do të presin dhe do të insistojnë “deri në momentin e fundit” që vendi të shkojë në zgjedhje para kohe dhe në vjeshtë të ketë “një qeveri të re, me një kryeministër të ri”.

Ai tha se vendimtare për këtë do të ishin dita e martë dhe dita e mërkurë.

“Në rast se edhe këto dy ditë nuk kemi një dakordim që më së largu ditën e enjte, më 30 maj, të shpërndahet Kuvendi, atëherë normalisht që ky opsion tashmë bjen dhe Qeveria do ta përfundojë mandatin dhe po ashtu edhe Kuvendi do ta përfundojë mandatin e vet kushtetues të rregullt dhe zgjedhjet do t’i kemi në periudhën mes 20 janarit dhe 20 shkurtit të vitit të ardhshëm”, tha Tahiri.

Më 13 maj, ai së bashku me shefin e tij të partisë, kryetarin Memli Krasniqi, ishin në një darkë me kryeministrin Albin Kurti dhe shefen e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, ku u pajtuan se si të shkojnë në zgjedhje para kohe.

Krasniqi kishte kërkuar “hapësirë për t’i konkretizuar hapat në ditët në vijim” për të shkuar para kohe në zgjedhjet parlamentare, pas darkës me Kurtin. Të dy u pajtuan për opsionin e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa kryetari i PDK-së tha se “është e domosdoshme që kjo të bëhet brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj, nuk ka më kuptim”.

“Në momentin që kalojmë pastaj në faza të mëvonshme, nuk mendoj që duhet.. Ka kuptim zgjedhjet e parakohshme në një periudhë që është 7-8 muaj para zgjedhjeve të rregullta, 3 muaj, 4 muaj para zgjedhjeve të rregullta s’ka asnjë kuptim”, tha Krasniqi pas takimit.

Ai tha se “zgjedhjet janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri”, ndërsa shtoi se diskutimet me Kurtin për këtë “duhet të kemi hapësirë për t’i konkretizuar me hapa në ditët në vijim”. Në takim kishte propozuar data konkrete të zgjedhjeve Tha se se shpresonte për “dakordësim edhe me partitë tjera parlamentare opozitare dhe ato të pozitës”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk i shkuan kryeministrit në atë darkë. Ata duan zgjedhje, por për këtë kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë, gjë që nuk duket e mundur, pasi nga pushteti nuk është shprehur ndonjë gatishmëri për ta bërë këtë. Përveç këtij opsioni, ligji parasheh edhe mocionin e mosbesimit, por edhe ai duket i pamundur, meqenëse opozita s’i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë.

Diskutimi me Krasniqin për zgjedhjet, Kurti tha se ishte i interesuar “të vazhdojë edhe me të tjerët”. Ai tha se zgjedhjet tashmë janë “çështje të muajve”, ndërsa paralajmëroi se “do të insistoj” që të takohet edhe me Abdixhikun e Haradinajn, duke përsëritur se është i interesuar që të diskutojë edhe me partitë tjera opozitare “se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës”.

“Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka. Por njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendi edhe me dy parti, mbase edhe me tri parti. Pse të mos jemi që të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, ndërkohë që unë jam në vitin e fundit të mandatit dhe qeverisja ime në këtë mandat nuk mund të zgjasë më shumë sesa disa muaj. Për mua nuk është thelbësore a do të qeverisi në këtë mandat edhe dhjetë muaj, tetë apo gjashtë muaj, apo tre muaj. Është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë, të jemi sa më gjithëpërfshirës për muajin, datën e zgjedhjeve, e më pas debatin ta bëjmë politik e ideologjik për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Kurti atë natë.

Mocioni i mosbesimit, dorëheqja e Qeverisë dhe shpërndarja e Kuvendit janë tri opsionet përmes të cilave bie Qeveria. LDK-ja dhe AAK-ja e duan opsionin e dytë, i cili duket i pamundur, po aq sa i pari.

“Le ta japë qartë, zëshëm, nëse është dorëzu, e duket se është dorëzu, le të japë dorëheqje. Pra, nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Por le të ia shpjegojë popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, pati thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në mars në Pressing, pasi Kurti ishte shprehur i hapur për zgjedhje të reja.

“Nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, të bëhet viktimë, të thotë më rrëzuan”, pati deklaruar Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se Kurti “po e kërkon shpëtimin e vet” përmes nismës për shpërndarjen e Kuvendit.

“Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, shkroi Haradinaj kur Kurti e Krasniqi u takuan

“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, shtoi ai.

Krasniqi provoi edhe me një letër t’i bindte dy partitë tjera në opozitë për ta shpërndarë Kuvendin. Ai të premtën ua dërgoi nga një letër kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ku ritheksonte qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Ai kërkoi që sa më shpejt të gjendej dakordimi, i cili nuk u bë.

Haradinaj të hënën iu përgjigj Krasniqit me një letër, në të cilën përsëriste se Qeveria duhet ta përfundojë mandatin e saj me dorëheqje ose shkarkim dhe jo me “vet-shpërndarje të Kuvendit”.

“Rrugëdalja është një platformë e përbashkët për qeverisje të re, pa Kurtin”, shkruhej në fund të letrës.

Nëse Kuvendi do të shpërndahej, presidentja Vjosa Osmani do t1% duhej ta shpallte datën e re të zgjedhjeve brenda 10 ditësh. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbaheshin më herët se 30 ditë dhe me vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

Ajo para pak muajsh e pati shprehur gatishmërinë që të diskutonte me partitë politike për zgjedhjet, në qoftë se ato do të pajtoheshin për këtë.

Partitë politike ka disa muaj që e kanë rritur angazhimin për t’u mobilizuar për zgjedhje të reja.

Nëse nuk do të ketë dakordim për këtë çështje, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në fillim të vitit 2025

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy