Një juri e Nju Jorkut e ka shpallur fajtor Donald Trumpin për të 34 akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit.
Vendimi u lexua në sallën e gjyqit në Manhatan, ku Trump është në gjyq që nga 15 prilli, shkruajnë mediat e huaja
Ai u deklarua i pafajshëm për të 34 akuzat e falsifikimit të të dhënave të biznesit në lidhje me një pagesë të parave të heshtura të bëra nga ish-avokati i tij Michael Cohen për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels në javët e fundit të zgjedhjeve presidenciale 2016.
Juria mori vendimin e saj pas disa orësh diskutimesh, të cilat filluan të mërkurën.
Vendimi vjen pasi Trump është kandidati i supozuar republikan për president i SHBA-së
Vlerësohet se vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur Trump, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat Joe Biden.
Trump, 77 vjeç, ka mohuar akuzat dhe pritet të apelojë vendimin.
Ndërkohë raportojnë mediat, Trump ka thënë se “do të vazhdojë të luftojë deri në fund”.
Ish-presidenti ka kritikuar gjithashtu procesin gjyqësor, duke pretenduar se është trajtuar në mënyrë të padrejtë.
“Kjo nuk ka përfunduar”, citohet të ketë thënë ai, përpara se të largohej pa iu përgjigjur asnjë pyetjeje.
Data e caktimit të dënimit është zgjedhur për 11 korrik, vetëm disa ditë përpara se republikanët të vendosin ta zgjedhin atë si kandidat për zgjedhjet e vitit 2024.