Një nga tre gjyqtarët e lidhur me pushtetin caktohet për rastin Telekomi-Dardafon

by Nexhat

E avancuar në detyrë nga pushteti, Franciska Zhitia, një gjyqtare e Dhomës së shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, do të vendosë për çështjen Telekomi-Dardafon në të cilën palë e interesuar është Qeveria e Kosovës.

Zhitia është caktuar kryesuese e një trupi gjykues të Apelit të Komerciales, që do të vendosë për rastin Telekomi-Dardafon, ka mësuar Paparaci nga burime të afërta me Gjykatën Komerciale.

banner

E caktuar gjykatëse në Gjykatën Komerciale në maj të vitit 2022, Franciska Zhitia është pjesë e instancës së shkallës së dytë të gjykatës. Ka marrë pjesë në marrjen e disa aktvendimeve ku palë e interesuar është pushteti.

Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë në tetor të vitit të kaluar, Zhitia, bashkë me dy gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Komerciale, Faton Bajramin dhe Saranda Gogajn, ishin emëruar në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Të tre janë përfshirë në gjykimin e lëndëve ku palë ka qenë pushteti: rasti “Rruga A” dhe rasti Telekom-Dardafon.

Të propozuar nga qeveria në tetor, në mesin e muajit dhjetor të 2023-s ata ishin votuar në këto pozita nga deputetët e shumicës parlamentare.

Në janar të këtij viti, Paparaci raportoi se Franciska Zhitia është vajza e Hilmi Zhitisë, prokuror i kallëzuar penalisht për përndjekjen e dyshuar politike të shqiptarëve të Kosovës në periudhën e ish-Jugosllavisë.

Emri i Hilmi Zhitisë dhe 29 ish-funksionarëve të sistemit komunist ishin pjesë e një kallëzimi penal të deponuar nga Nait Hasani, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Bazuar në kallëzimin penal të Hasanit, Zhitia dhe të tjerët dyshoheshin “për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

Gjyqtari Hilmi Zhitia e ka cilësuar absurde listën e figurave të ish-sistemit të kallëzuar penalisht nga Hasani. Në një deklarim për Bota Sot në vitin 2010, ai tha se ai ishte një nga të shkarkuarit e parë shqiptarë nga institucionet serbe në fillim të vitit 1990.

Me datën 18 shkurt 2022 është marrë vendimi final në rastin Telekomi-Dardafon në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Në mars të atij viti, është parashtruar propozimi për njohje dhe ekzekutim të vendimit të arbitrazhit të huaj. Në kundërshtim të kësaj kërkese, Telekomi i Kosovës paraqet Padi për anulimin e vendimit të Arbitrazhit

Në shtator, Gjykata Komerciale mori aktvendim me te cilin bëhet bashkimi i lëndëve, si propozim për njohjen e vendimit të arbitrazhit të huaj dhe padisë për anulimin e vendimit të arbitrazhit.

Me 20 shkurt të këtij viti, është abroguar aktvendimi i datës 8 shtator 2022 me të cilin ishin bashkuar lëndët dhe tani ishin proceduar lëndët ndaras sipas propozimit për njohje, dhe padisë për anulimin e vendimit të arbitrazhit. Propozimi për njohjen e vendimit të arbitrazhit te huaj ka mbetur të procedohet te gjykatësi Arbër Rexha.

Me datën 27 mars të këtij viti, Gjykata Komerciale nxori aktvendim me të cilin shpallet jo kompentente  në pikëpamje apsolute sa i përket objektit të kontestit sipas padisë së Telekomit për anulimin e vendimit të arbitrazhit dhe e hodhi poshtë padinë si të palejuar.

Telekomi i Kosovës kishte parashtruar ankesë me datën 04.04.2024, kundër aktvendimit për shpalljen jo kompetente dhe hedhjen poshtë te padisë si te palejuar, dhe tani lënda gjendet në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. /Paparaci.com

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy