Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar llogari bankare në vlerë 10 mln euro të administratorëve që u përfshinë në skemën e mashtrimit të kredive. Paratë i përkasin 10 personave dhe tre subjekteve, ‘MCA”, “ADCA” dhe ‘Final’ shpk.
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar llogaritë bankare të 10 personave, përmbarues dhe administratorë të kompanive që ofrojnë mikrokredi, si dhe të tre subjekteve financiare. Bllokimi vjen pas dyshimeve të forta, se grupi është përfshirë në skema mashtrimi në dëm dhjetra mijëra qytetarëve, të cilët kishin marrë kredi. Në total bëhet fjalë për 10 milionë euro, ndërsa akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e “pastrimit të parave”.
Një javë më parë, 9 persona, administratorë dhe përmbaruesë nga institucionet financiare Micro Credit Albania, ADCA, si dhe shoqërive përmbaruese Zig, FS, FLASH, u arrestuan. Janë pikërisht llogaritë e këtyre të fundit dhe të shoqërive Microcredit Albania dhe Final shpk, ato që janë vënë nën sekuestro.
Sipas prokurorëve, një masë e tillë ka qenë e nevojshme pasi “ekziston rreziku që vlerat monetare në llogaritë e tyre, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen”.
Në njoftim, shpjegohet se personat dhe kompanitë ”kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme. Për to, ka dyshime se gjatë ushtrimit të aktivitetit, kanë blerë kredi të këqija në banka, dhe kanë detyruar qytarët të marrin kredi të reja për të shlyer të parat, duke u bllokuar këtyre të fundit pasuritë dhe pagat, në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara”.
Pas arrestimeve të javës së shkuar, Banka e Shqipërisë njoftoi se i kishte revokuar menjëherë licencat e shoqërisë Micro Credit Albania dhe Final.