Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë ka publikuar një analizë rreth rrugës që po ndjek Kosova në raport me dialogun dhe marredheniet me aleatët dhe gjithashtu kanë nxjerre disa rekomandime. Autorët e kësaj analize të publikuar në “EUISS” janë Ilir Deda dhe Bojana Zoric.
Siç shkruhet në pjesën e fundit të këtij publikimi, derisa zgjedhjet globale po afrohen dhe lufta në Ukrainë po vazhdon, stabilizimi i situatës së sigurisë në Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor është jetike.
Në këtë shkrim thuhet se duke parë sfidat me të cilat po përballet rajoni, përgjatë kësaj periudhe është shumë e rëndësishme që të mbahet një sy vigjilent në pikat e mundshme të eskalimit, veçanërisht në veri të Kosovës.
Publikimi sugjeron nevojën që perëndimi të ketë një angazhim të qëndrueshëm diplomatik me Prishtinën dhe Beogradin gjatë pjesës së dytë të vitit 2024, duke qenë se rreziku i përshkallëzimit të sigurisë është i lartë.
Në shkrim rekomandojnë që Qeveria e Kosovës të miratojë në mënyrë urgjente një agjendë pozitive për serbët që jetojnë në Kosovë, përfshirë hapat për themelimin e Asociacionit dhe për të rivendosur besimin duke adresuar shqetësimet e tyre legjitimit.
“Pas dështimit të referendumit për largimin e kryetarëve të komunave në veri, Kosova duhet të rifillojë dialogun me BE-në për kushtet për heqjen e masave të vendosura”, thekson raporti.
EUISS ka dhënë edhe disa rekomandime në planin afatgjatë:
Angazhimi diplomatik: BE-ja duhet të intensifikojë përpjekjet diplomatike me 5 shtetet anëtare të BE-së që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës, veçanërisht për shkak se 27 shtetet anëtare të BE-së kanë sponsorizuar bashkërisht ‘Marrëveshjen e Ohrit’ e cila kërkon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pas harmonizimit të plotë të pozicionit të saj me vendet e QUINT-it (9), Kosova duhet të bashkëpunojë me to për të inicuar një dialog me pesë shtetet jo-njohëse të BE-së për anëtarësimin në BE dhe NATO. Kosova gjithashtu duhet të shtyjë për hapjen e zyrave ndërlidhëse reciproke në kryeqytetet ku aktualisht mungon një prani e tillë.
Ndërtimi i urave: Kosova ka shumë për të humbur nëse këmbëngul në refuzimin e rekomandimeve dhe kërkesave të BE-së. Ajo do të përfitojë shumë duke bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me serbët vendas dhe duke eksploruar rrugë të reja për lehtësimin e zgjedhjes së kryetarëve të rinj dhe këshilltarëve komunalë në komunat e saj veriore, duke respektuar angazhimet e saj dhe duke u riangazhuar në mirëbesim në dualigun e lehtësuar nga BE.
Së fundi, heqja e vetos së Kosovës në marrëveshjet rajonale do të hiqte një pengesë kryesore për bashkëpunimin rajonal të zgjeruar të Ballkanit Perëndimor dhe do të ndihmonte në nxitjen e bashkëpunimit socio-ekonomik brenda rajonit.
Kushtëzimi i BE-së, vijat e kuqe dhe anëtarësimi: Sapo të krijohet Kolegji i ri i Komisionerëve, BE-ja duhet të miratojë një strategji të fuqishme politike për të nxitur bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka alternativë tjetër të mundshme për Dialogun. Kjo mund të përfshijë zbatimin e kushteve më të rrepta për respektimin e dispozitave të Brukselit/Ohrit nga të dyja palët, dhe përcaktimin e qartë të vijave të kuqe që nuk mund të kapërcehen, duke përfshirë një kornizë të qartë kohore për anëtarësimin në BE për të dyja vendet.
Gatishmëria e sigurisë dhe parandalimi: NATO mund të mbështesë më tej strukturat e sigurisë së Kosovës duke zhvilluar aftësitë e tyre për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive situatave emergjente. Kjo mund të përfshijë rritjen e stërvitjeve stërvitore dhe planifikimin e përbashkët operacional, si dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, veçanërisht në përgjigje të sfidave të sigurisë në veri, siç është sulmi në Banjska. Në planin afatgjatë, kjo do të shërbejë për të përmirësuar më tej ndërveprimin e FSK-së me standardet e NATO-s, duke hapur potencialisht rrugën për përfshirjen eventuale të Kosovës në kornizën e PfP-së.