Trupat e NATO-s të premten përfunduan atë që ka qenë stërvitja më e madhe ushtarake e organizuar nga aleanca e mbrojtjes perëndimore që nga fundi i Luftës së Ftohtë, që synon të pengojë agresionin rus.
Një seri manovrash nën emrin ” Mbrojtësi i palëkundur ” u nis nga NATO si reagim ndaj situatës së ndryshuar të sigurisë në Evropë, si rezultat i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më shumë se dy vjet më parë.
Më shumë se 90,000 ushtarë nga të 32 vendet e NATO-s, si dhe 50 anije luftarake, 1,100 automjete luftarake dhe më shumë se 80 avionë luftarakë janë përfshirë në stërvitjen e nisur rreth katër muaj më parë, sipas selisë së NATO-s.
Stërvitja u fokusua veçanërisht në alarmimin dhe vendosjen e forcave tokësore kombëtare dhe shumëkombëshe në krahun lindor të NATO-s, nga Rrethi Arktik deri në Karpatet Rumune.
Sipas informacioneve të marra nga dpa, skenari për manovrën në shkallë të gjerë është një sulm rus në territorin aleat, i cili bie në nenin 5 të traktatit të NATO-s që tregon se një sulm kundër një aleati të NATO-s konsiderohet si sulm kundër të gjithë aleatëve.
Neni 5 është përdorur vetëm një herë, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 nga al-Kaeda në Shtetet e Bashkuara.
Sipas NATO-s, “Steadfast Defender” përfshiu edhe planet e mbrojtjes rajonale të dakorduara nga aleatët vitin e kaluar pas pushtimit rus të Ukrainës.
Përpara Steadfast Defender, stërvitjet më të mëdha të NATO-s të pas Luftës së Ftohtë deri më tani ishin organizuar në vitin 2018. Ato stërvitje, të quajtura Trident Juncture, u zhvilluan kryesisht në Norvegji dhe përfshinin rreth 51,000 ushtarë.
Manovrat e fundit të NATO-s më të mëdha se “Steadfast Defender” u zhvilluan përpara shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991. Në vitin 1988, për shembull, rreth 125,000 ushtarë u përfshinë në një stërvitje.