Bardhyl Mahmuti: Arrestimi i Tefik Mustafës dje, si në rastin “Panda”, duhet reagim i ashpër sepse nesër mund të jetë vonë

by Nexhat

Bardhyl Mahmuti, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka alarmuar pasi autoritetet serbe e arrestuan Tefik Mustafën të shtunën.

Ky arrestim “nxori në shesh manipulimin e Serbisë me listat e të vrarëve në Kosovë”, thotë Mahmuti. Duke e njohur mënyrën kriminale të funksionimit të Serbisë, ai tha se ka verifikuar disa të dhëna pasi e ka lexuar njoftimin e autoriteteve serbe për rastin.

banner

Ai ka bërë një lidhje ndërmjet asaj që thuhet në njoftim dhe rastit të njohur “Panda”.

“Fatkeqësisht si në rastin “Panda” dhe në shumë procese të kurdisura nga pushteti serb, ku u arrestuan shqiptarë të pafajshëm, dje u arrestua Tefik Mustafa! Regimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, të Shqipërisë dhe institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të jetë i menjëhershëm dhe i ashpër, sepse nesër mund të jetë tepër vonë!”, shkruan Mahmuti në reagim

Reagimi i plotë i Bardhyl Mahmutit:

Arrestimi i Tefik Mustafës nxori në shesh manipulimin e Serbisë me listat e të vrarëve në Kosovë

Në orët e vonshme të ditës së djeshme (e shtunë 1 qershor 2024), ish-zëdhënësi i partisë së Millosheviqit gjatë kohës kur Serbia kreu gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë, i cili aktualisht është zëvendëskryemisistër dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, lëshoi një kumtesë në të cilën thuhet :

“Sot pasdite, në pikën administrative të kalimit në Merdare, u arrestua një person, i dyshuar për krime lufte kundër civilëve në Kosovë dhe Dukagjin. Fjala është për Tefik Mustafën, i cili, si pjesëtar i UÇK-së, përmendet në deklaratat e dëshmitarëve si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, që ka ndodhur më 19 qershor 1999 në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan, te vendi Labanj, pas së cilës atyre u humbën të gjitha gjurmët. Personi do t’i dorëzohet Prokurorisë për Krime Lufte” .

Në shikim të para, kumtesa e kriminelit Ivica Daçiq duket kundërthësese, sepse fillimisht shpall Tefik Mustafën si “të dyshuar për krime kundër civilëve”, ndërkaq sjell “deklaratat e dëshmitarëve për tre policë të rrëmbyer”! Mirëpo nuk ka asgjë kundërthënëse në mënyrën e funksionimit të Serbisë nën udhëheqjen e atyre që ishin pjesëmarrës të institucioneve shtetërore gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndërkohë që zhvillohej lufta dhe menjëherë pas përfundimit të saj, regjimi i Sllobodan Millosheviqit publikoi disa variente të “Librit të bardhë”, me qëllim që të njollosej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke e fajësuar për vrasje të civilëve. Në funksion të manipulimit të institucioneve politike dhe atyre të drejtësisë ndërkombëtare, të cilave ua kishin shpërndarë librin falas, u publikuan lista të ushtarëve, të policëve dhe të civilëve të të gjitha përkatësive etnike, të vrarë gjatë luftës në Kosovë, vrasja e të cilëve i vishej UÇK-së.

Pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, qeveria e re “demokratike” e këtij shteti, në muajin nëntor të vitit 2001, botoi variantin e ri të “Librit të bardhë”, të titulluar “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji-Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001” (Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin – Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998 – nëntor 2001).

Mënyrën sesi u manipuluan listat e lartpërmendura e kemi trajtuar gjerësisht në veprën “Mashtrimi i madh” dhe në librin që do të botohet së shpejti. Në kontekst të kumtesës së kriminelit Ivica Daçiq po përmendim vetëm një rastin e policit Srečko Majanović (Sreçko Majanoviq).

Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 48 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Srečko Majanović (Sreçko Majanoviq). Në sqarimet që jepen rreth vrasjes së tij, në këtë botim saktësohet se ky polic ishte plagosur më 1 gusht 1998, pastaj ishte transferuar në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd, ku kishte vdekur më 4 gusht 1998 . Në botimin e vitit 2001, Srečko Majanović u transferua në numrin rendor 44 të listës “së viktimave civile të rrëmbyera ose të zhdukura pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”

Duke njohur mënyrën kriminale të funksionimit të Serbisë, sapo lexova kumtesën në fjalë vendosa të verifikoj të dhënat që jepen në të.

Meqenëse pretendohet se policët e lartpërmendur ishin rrëmbyer më 19 qershor 1999, fillimisht kërkova emrat e tyre në listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme “të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”. Nuk i gjeta emrat e tyre! Pastaj kërkova në “listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të vrarë, të rrëmbyer ose të zhdukur nga 1 janari 1998 deri më 10 qershor 1999”. As aty nuk ishin!

Në fund konsultova “listën e civilëve serbë e malazias të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”.

Në numrin rendor 446 të kësaj liste figuron “Goran Marinkoviqi, i lindur më 25.09.1972, në Slivovë, nga babai Srbolub. I rrëmbyer më 19.06.1999 në rrugën Slivovë-Prishtinë, së bashku me të njohurin e tij, Zhivorad Paviq, me të cilin udhëtonin për në Vranjë”.

Është e kuptueshme që mospërfshirja e Goran Marinkoviqit dhe Zhivojin Paviqit në “listën e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme” dhe prezantimi si “civilë të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999” kushtëzoi fshehjen e të dhënave se këta të dy kanë qenë kolegë, por prezantohen vetëm si persona që njiheshin.

Meqenëse në përshkrimin e rrethanave kontekstuale të “rrëmbimit dhe zhdukjes së Goran Marinkoviqit” përmendej vetëm Zhivojin Paviqi dhe nuk thuhej asnjë fjalë e vetme për Predrag Millosheviqin, që figuron në kumtesën e lartpërmendur, kërkova informata shtesë në njoftimin që Qeveria e Serbisë kishte dhënë për Zhivojin Paviqin në librin për “viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin – Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998 – nëntor 2001

Në numrin rendor 591 “të listës së civilëve të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999” figuron edhe “Zhivojin Paviq, shofer, nga fshati Slivovë e komunësë së Prishtinës, i lindur më 1951 në fshatin Slivovë, nga babai Slavolub. I rrëmbyer në vendin Labanje, në rrugën Slivovë-Prishtinë, më 19.06.1999, rreth orës 19:00, në kamionin e markës MAN, me targa PA 863-54 dhe 19-24 PA. Është rrëmbyer së bashku me Predrag Millkoviqin!

Në përshkrimin e rrethanave kontekstuale të “rrëmbimit dhe zhdukjes së Zhivojin Paviqit” nuk përmendet fare Goran Marinkoviqi e as Predrag Millosheviqi, por doli një emër i ri, Predrag Millkoviqit.

Edhe Predrag Millkoviqit figuronte “në listën e civilëve të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”. Në numrin rendor 520 shkruan: “Predrag Millkoviq, shofer nga Smedereva, rruga Joce Ivanoviq nr.22, i lindur më 14 shkurt 1961 në Velika Pllana, nga babai Jovani dhe nëna Zhivka, e lindur Stoillkoviq. I rrëmbyer nga ana e terroristëve shqiptarë në rrugën Slivovë-Prishtinë te fshati Labanje, rreth orës 19:00. Është rrëmbyer së bashku me Zhivojin Paviqin, teshat e së cilit është dashur t’ia bartë nga Svilova në Smederevë. Sipas disa informatave, ndodhet në burgun e ‘UÇK-së’ në Prishtinë”.

Më kot kërkova emrin e policit Predrag Millosheviqi! Ai nuk figuron në asnjërën nga listat e publikuara deri tani nga Qeveria e Serbisë.

Në kumesën e zëvendëskryemisistërit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, kriminelit Ivica Daçiq dolën në shesh emrat e policëve që Qeveria e Serbisë i kishte zhvendosur në “listën e civilëve të rrëmbyer ose të zhdukur pas 10 qershorit 1999”.

Duke njohur mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore të Serbisë, është plotësisht e besueshme që fati i policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq, Predrag Millosheviq dhe Predrag Millkoviq të kishte qenë i njëjtë si i policit Sreçko Majanoviq, i cili kishte vdekur më 4 gusht 1998, nga plagët e marra gjatë luftimeve me UÇK-në më 1 gusht 1998, u “ringjall” në vitin 1999, për t’u “rrëmbyer dhe zhdukur nga terroristët shqiptarë, pas përfundimit të luftës”.

Fatkeqësisht si në rastin “Panda” dhe në shumë procese të kurdisura nga pushteti serb, ku u arrestuan shqiptarë të pafajshëm, dje u arrestua Tefik Mustafa! Regimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, të Shqipërisë dhe institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të jetë i menjëhershëm dhe i ashpër, sepse nesër mund të jetë tepër vonë!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy