Basha: PD, e vetmja forcë politike me Kuvend të mirëfilltë programor

by Nexhat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot në Parkun Olimpik programin e PD për zgjedhjet e ardhshme parlamentare me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”.

Në Kuvendin programor të PD, Basha u shpreh se, “PD është e vetmja forcë politike që organizon një Kuvend të mirëfilltë programor, sepse ne jetojmë, jo thjesht me hallet e demokratëve, por me hallet e qytetarëve. jetojmë me brengat e tyre, me shqetësimet e tyre”.

banner

Basha shprehu mbështetjen e PD ndaj organeve të drejtësisë.

“Vendi keq qeveriset në mënyrën më të papërgjegjshme. Një qeveri e zhytur në afera korruptive. Një qeveri e kapur në flagrancë, nga shqiptarët, nga partnerët nga drejtësia. Korrupsioni i kësaj qeverie është vetë arsyeja e ekzistencës së organeve të reformuar të drejtësisë, të cilëve iu rikonfirmojmë nga kjo sallë mbështetjen pa kushte të PD, për të çuar prapa hekurave qeveritarët e korruptuar”, tha Basha

Kreu i PD tha se, shqiptarët presin zgjidhje dhe ne jemi sot këtu për t’i shpalosur këto zgjidhje.

“Një Shqipëri e plakur e nga emigracioni, e impaktur nga varfëria. Familje shqiptare që lëngojnë nën zgjedhën e përditshme të çmimeve të larta e të kostos së jetesës. Rini e pasigurt për të nesërmen, papunësi kronike. Të gjitha këto janë produktet e vetme të shportës së Edi Ramës. Eksporti më i madh i Edi Ramës është rinia shqiptare.

Ndaj, shtoi ai, “PD si e vetmja forcë politike që është në kontakt të përditshëm me hallet e shqiptarëve, vjen sot me një përfaqësim të plotë të ekipit më të mirë, të ekspertëve, profesionistëve, përfaqësuesve politikë, të cilët për më shumë se 1 vit në bashkëpunim të ekspertëve të aleatëve tanë strategjik, nga SHBA tek Gjermania, me ekipet më të mira prezantojmë programin e PD, Shqipëria meriton më shumë”.

Basha nënvizoi se programi është diskutuar me mbi 100 ekspertë.

Në prezantimin e programit, Basha tha se, “përfshihet fondi për mirëqenien e familjes, që parashikon 2,000 euro për çdo bebe dhe 20 mijë euro për fëmijën e trete”.
“30 mijë çifte të reja shqiptare do të marrin subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpinë”, tha ai.

Basha shtoi se, “do të ketë drekë për nxënesit në gjithë shkollat 9 vjeçare dhe të mesme dhe shkollë gjatë gjithë ditës kurse kompjuteri, gjuhë të huaj, klasa arti dhe klasa sportive deri në orën 16”.

Sa i përket gjeneratës së ardhshme, Basha theksoi se, “do të ketë trajnime dhe praktika si punë e paguar 1 vjeçare për të marrë një profesion për 10 mijë të rinj pas shkollës së mesme (që nuk vazhdojnë universitetin), por edhe për student të sapodiplomuar, si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës”.

Gjithashtu, Basha u shpreh se, “do të ngrihen katër Kampuse Kombëtare ku do të trajnohen 25 mijë të rinj në fusha prioritare të teknologjisë së informacionit dhe programimit”.

Sa i përket taksimit, Basha theksoi se, “programi parashikon taksë të sheshtë 9 %, si dhe tatim 9 % për profesionet e lira”.

Për reformën e pronës, Basha u shpreh se, synohet zgjidhja e menjëhershme dhe pa burokraci e pronës.

“Kthim i menjëhershëm i pronës aty ku është e lirë, kompensim me vlerë tregu ku është zënë. Lëshimi i obligacionit/bonove nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës”, tha Basha.

Sa i përket mbështetjes për familjet fermere, Basha nënvizoi se, “çdo vit do të akordohen 100 milionë euro subvencion direkt për bujqësinë dhe blegtorinë. 50 milionë euro në infrastrukturë, për mbështetje të drejtpërdrejtë përfitues 150 mijë fermerë”.

Për pensionet, Basha tha se, do të ketë rritje si dhe bonus periodik.

Basha po ashtu, shtoi se, statusi i të Përndjekurit do të jetë me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish-Ushtarakut.

Sa i përket Forcave të Armatosura, Basha u shpreh se, “5000 djem dhe vajza të moshës 18-22 vjeç që angazhohen në 4 vite shërbim aktiv në Forcat e Armatosura, bashkë me trajnimin marrin një profesion ose diplomohen me shpenzimet e shtetit. Paguhen si rezervistë deri në moshën 45 vjeç”.

Gjithashtu, theksoi Basha, synohet krijimi i Xhandarmërisë Kombëtare si dhe krijimi i Njësisë së zbulimit dhe rikuperimit të pasurisë së vjedhur: për të gjitha pasuritë e vjedhura shtetit/publikut, si dhe ngritja e Gjykatës së Auditit.

“Shteti merr përsipër të zerojë çdo detyrim të qytetareve në problematikat me natyrë administrative në raport me institucionet e shtetit”, tha Basha.
Po ashtu në program parashikohet udhëtimi pa viza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës brenda mandatit

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy