Donald Trump, i është bashkuar platformës TikTok dhe ka tërhequr më shumë se 3 milionë ndjekës brenda një dite. Vendimi për t’u bashkuar me platformën mund të ndihmojë ish-presidentin të arrijë votuesit e rinj në përpjekjen e tij të tretë për Shtëpinë e Bardhë. Ai është në një garë të ngushtë me presidentin aktual demokrat Joe Biden para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
Më herët Trump është përpjekur për të ndaluar TikTok-un, por kërkesa u bllokua nga gjykata. Në mars, ai tha se platforma megjithëse përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare, një ndalim i saj do të dëmtonte disa të rinj dhe vetëm do të forconte Facebook-un e Meta Platforms, të cilin ai e ka kritikuar ashpër.
Trump tashmë ka një prani aktive në rrjetet sociale me më shumë se 87 milionë ndjekës në X dhe mbi 7 milionë ndjekës në platformën e tij, Truth Social, ku poston pothuajse çdo ditë. Trump tha në një deklaratë se do të “përdorë çdo mjet të disponueshëm për të folur drejtpërdrejt me popullin amerikan.”