Kryeministri Edi Rama publikoi intervistën e plotë me gazetarin e emisionit “Report” në Rai3 ku iu përgjigj akuzave të Arben Ahmetajt se kreu i qeverisë është takuar me bosë të mafias në zyrën e tij. Rama sqaroi takimin me personat e përmendur nga Ahmetaj, ndërsa tha se akuzat janë bërë nga një person i ndotur dhe me probleme me drejtësinë
Rama: Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen.
Rai3: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.
Edi Rama: I njëjti burim?
Rai3: Po.
Edi Rama: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.
Rai3: E, megjithatë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeveritë tuaja.
Edi Rama: Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”.
Rai3: Po, a është e vërtetë apo jo që ju keni takuar figura të krimit të organizuar shqiptar.
Edi Rama: Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj.
Rai3: Megjithatë, unë jam këtu për të dëgjuar mendimin tuaj.
Edi Rama: Do t’ju them këtë. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. i takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Becchetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur
Kryeministri Rama është pyetur ndër të tjera edhe për biznesmenin italian Fracesco Becchetti të cilin e cilësoi si një kriminel të dënuar nga drejtësia shqiptare.
Edi Rama: Zotëria është një kriminel i dënuar me 17 vjet burg në Shqipëri për pastrim parash e të tjera. Historia nuk është mbyllur, nuk dua të komentoj por për momentin jemi në një betejë ligjore me zotërinë që për ne është një kriminel.
RAI3: Por një Gjykatë Ndërkombëtare ju ka dënuar që t’i paguani 135 mln euro. Pse nuk e zbatoni këtë vendim?
Edi Rama: Sepse historia nuk ka përfunduar. Jemi në proces gjyqësor në Belgjikë. Dhe kush mendon se historia ka përfunduar besoj se duhet të rimendohet.
RAI3: Mund të rihapet ccështja nga pikëpamja gjyqësore?
Edi Rama: Nuk dua të bëj komente, por për momentin vazhdojmë të jemi në një betejë ligjore me zotërinë, i cili për ne është një kriminel.
Teksa gazetari e etiketoi Shqipërinë si një narkoshtet, Rama tha se kjo është e pavërtetë pasi nuk mund të jetë narkoshtet një vend i cili ka hapur negociatat për anëtarësimin në BE.
Rama tha se në RAI3 u trasmetua një emision me gënjeshtra të mëdha për Shqipërinë dhe e konsideroi intervistën si “not në baltë”