Kiks Kosova: Tenderi që u dyshua se u kurdis – Kompania e Astrit Nixhës dhe Ardi Ç i marrin 3 milionët e parë nga Komuna

by Nexhat

Mbi 3 milionë euro ka marrë kompania “ANARCH” e Astrit Nixhës dhe “ARDI Ç” nga Komuna e Prishtinës për 7 muaj në emër të “Konsulencës për themelimin e Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit”, proces ky që shkaktoi shumë polemika brenda këtij institucioni.

Kiks Kosova ka arritur të sigurojë 6 fatura që konsorciumi “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ia faturoi Kuvendit Komunal të Prishtinës e të cilat janë të nënshkruara nga Astrit Nixha, si drejtor menaxhues i këtij shërbimi

banner

Pikërisht emri i këtij konsorciumi, që është i njëjtë me procesin e tenderimit, dhe ai i drejtorit menaxhues, Nixhës u bë shkak që të ngrihen polemikat dhe dyshimet që ky proces i prokurimit, i cili do t’i kushtojë Komunës së Prishtinës hiç më pak se 12 milionë euro, ishte i kurdisur.

Tri nga gjashtë faturat të cilat ShAK ia dërgoi Kuvendit Komunal të Prishtinës për pagesë, janë lëshuar me 12 mars të 2024-ës

Të tria këto fatura, që kapin vlerën e rreth 900 mijë eurove, thuhet se janë obligime për një shërbim të vetëm, që sipas faturës është konsulencë për themelimin e “Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”.

Këto nuk janë pagesat e vetme që Komuna e Prishtinës i ka paguar kësaj kompanie, e cila parashihet të këshillojë komunën e Përparim Ramës për themelimin e “Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”.

Paraprakisht, rreth 2 milionë euro nga taksat e prishtinasve, Komuna e Prishtinës ia pagoi kësaj kompanie vitin e kaluar.

1 milion e 50 mijë euro iu paguan “Arkitektit të Kryeqytetit” në fundvitin e 2023-ës, derisa paraprakisht në nëntor të po atij viti, i ishin dhënë 577 mijë euro, kurse në një moment tjetër, rreth 400 mijë euro të tjera u derdhën në llogarinë bankare të këtij konsorciumi

Astrit Nixha, i cili e ka fituar këtë tender, ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Përparim Ramën, para se ky i fundit të behej kryetar i Prishtinës.

Gjurmët e këtij bashkëpunimi figurojnë ende në internet.

Ky nuk ishte projekti i vetëm që mban firmën e Nixhës dhe Ramës. Nga partner të biznesit në kushte të barabarta, bashkëpunimi i tyre kaloi në një nivel tjetër.

Në dokumentin tjetër, në të cilin ata vendosën firmat, Rama nënshkroi në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, ndërsa Nixha si fitues i tenderit.

Kontrata për Themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, në të cilin kompania “ANARCH” e ish-partnerit të Ramës dhe “ARDI- Ç”, u nënshkrua në qershorin e vitit 2023.

Dhe vetëm për tri vjet shërbim, ai do të shpërblehet me hiç më pak se 12 milionë euro./Paparaci.com

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy