Ura mbi lumin Ibër që e ndanë Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe. Vendimi për hapjen e saj u mor në vitin e kaluar, mirëpo së fundmi zbatimi i vendimit u paralajmërua nga numri dy i policisë në Veri. Kjo është përkrahur nga Qeveria dhe nga kryetarët e dy komunave që i ndan Ibri, ndërsa në anën tjetër, BE dhe KFOR, kanë thënë se çfarëdo vendimi për këtë çështje duhet të diskutohet në Bruksel.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, para disa ditësh paralajmëroi që Ura e Ibrit “shumë shpejt” do të hapet.
“Unë e konsideroj që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapet. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hap ura dhe me u mbushë me autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutuar me eprorët tanë se si ka mundësi kjo të bëhet. Unë konsideroj se nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, ka thënë Elshani më 30 maj.
Mjaftoi ky paralajmërim që të vinin reagime nga palë të ndryshme.
Asamblistët e Vetëvendosjes në kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, një ditë pas deklaratës së Elshanit kanë kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës, që ishte marrë vitin e kaluar.
Aida Ferati-Doli, asambliste e VV’së, tha se çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.
“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”, tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.
BE dhe KFOR’i reagojnë me tone të njëjta
Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se hapja e urës së Ibrit i përket dialogut dhe çdo vendim që lidhet me të duhet të diskutohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.
Qëndrim të njëjtë për Urën e Ibrit ka edhe misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR’i.
Ky mision ka bërë thirrje që çdo vendim për urën mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për REL’in.
Pushteti e përkrah idenë e hapjes së urës
Vendimi për hapjen e urës së Ibrit u mor prillin e kaluar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, që udhëhiqet nga Erden Atiqi i VV’së. Propozimi u bë nga asamblistja e partisë në pushtet, Aida Ferati-Doli.
Ky vendim ishte mbështetur edhe nga Qeveria, që vitin e kaluar tha se çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes e cenon këtë të drejtë themelore.
“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”, kishte cituar RTK Qeverinë.
Ndërsa tash, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë paralajmëruar që Ura e Ibrit mund të hapet këtë verë.
Zëvendësministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, ka thënë se nuk ka ndonjë datë të saktë, por sipas tij nuk ka arsye që të pritet vjeshta. Ai thotë se janë krijuar kushte për hapjen e urës, pasi që janë zvogëluar mundësitë për trazira.
“S’jam i sigurt për kohën e saktë, natyrisht se është diskutuar më shumë se njëherë mes institucioneve të shtetit tonë dhe ka arsye që nuk është shtyrë pra vendimi për zbatimin pasi e ka votuar Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës Veriore. Pra, arsyeja ka qenë e thjeshtë që të mos ngutemi të mos dukemi që po tentojmë ta provokojmë situatën, mirëpo me kalimin e kohës potenciali për trazira vërehet qartë se është zvogëluar. Mendoj se para vjeshtës që i bie gjatë verës. Por, datë të saktë nuk kemi. Mendoj se nuk ka nevojë të pritet vjeshta fare”, tha ai në Tëvë1.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare duhet të mësohen se menaxhimi i çështjeve komunale i takon institucioneve të Kosovës.
Reagimi i Listës Serbe
“Lëvizje e panevojshme dhe e papranueshme”, është quajtur nga Lista Serbe paralajmërimi për hapjes e Urës së Ibrit.
Partia më e madhe e serbëve ka shtuar se “qëllimi është destabilizimi i situatës”.
“Kujtojmë se situata aktuale është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Njëkohësisht theksojmë se trafiku aktualisht po rrjedh normalisht nga pjesa jugore në veri të qytetit në katër drejtime, mbi tre ura dhe një rrugë lokale, dhe nuk ka nevojë për urën”, thonë nga Lista Serbe.
LS i ka bërë thirrje KFOR’it, EULEX’it dhe përfaqësueve të Brukselit “që të reagojnë dhe të parandalojnë që të ndodhë një krizë tjetër”.
“I bëjmë thirrje Kfor-it, EULEX-it, por edhe përfaqësuesve të Brukselit që të parandalojnë Kurtin të shkaktojë një krizë tjetër dhe ta pengojnë planin e tij për dëbimin e serbëve nga Kosova. Ju bëjmë thirrje që të reagoni urgjentisht dhe t’i tregoni regjimit në Prishtinë se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, veçanërisht në Mitrovicën e Kosovës, për këtë arsye, nga disa mijëra serb, vetëm një prift jeton në Mitrovicën jugore me familjen e tij nën vëzhgim të vazhdueshëm policor”, kanë thënë nga Lista Serbe
Kryetarët e Mitrovicës së Veriut dhe e Jugut pro hapjes së urës që i ndau
Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, janë deklaruar pro hapjes së Urës së Ibrit.
Atiq në një emision në mars të këtij viti ka thënë se në kohën kur është votuar në Kuvendin Komunal edhe ai ka qenë asamblist dhe ka votuar pro.
Ai shtoi se përgjegjësia i është deleguar MAPL’së.
“Ka pasë një iniciativë në kuvend komunal dhe është votu kërkesa për lirimin e Urës së Ibrit për trafik. Në në atë kohë edhe unë kam qenë asamblist, edhe unë kam votu pro normal… në shkurt, mars të vitit 2023, pas dorëheqjes së serbëve dhe tash është si përgjegjësi i është deleguar MAPL’së”, tha Atiq në “Kallxo Pernime”.
Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, në një përgjigje në maj të vitit të kaluar kishte vlerësuar se kjo është çështje e stërvonuar.
Ai kishte thënë se lëvizja e lirë e qytetarëve është e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet tjera në fuqi dhe tha deklaroi se “qe 23-24 vjet Ura e Ibrit është një prej simboleve dhe objekteve që paraqet vrazhdësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë”.
“Kjo është çështje e rregulluar me kushtetutë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës garantohet lëvizja e lirë e gjithë qytetarëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe me të gjitha ligjet tjera pozitive në fuqi. Çështja e urës është e vonuar, e stërvonuar dhe ka ndikuar në lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy pjesët e qytetit, edhe në pjesën veriore dhe në pjesën jugore. Është imazh i keq për të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë çështje. Normalisht që qëndrimi im është që kjo jo që duhet të hapet, por është dashur të hapet shumë më herët. Dhe të gjithë faktorët përgjegjës dhe relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar dhe KFOR-in, duhet të veprojnë që ura të jetë e hapur, të jetë e lirë, jo veç për këmbësorë por edhe për automjete dhe për gjithçka çka është e dedikuar. Përndryshe që 23-24 vjet kjo është një prej simboleve dhe prej objekteve që realisht e paraqet vrazhdësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë Evropën”, kishte thënë Hamza në 2 maj 2023
Urën e Ibrit, në maj të 2023’s, e kishte kaluar Miroslav Lajçak dhe tha se diskutimi për rihapjen e saj duhet të jetë pjesë e dialogut.
“Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendon që vendimi për hapjen duhet të merret në dialog. Gjithçka është në dorën e dy palëve. Unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet”, tha ai.