Telefonata me Radojiçiq, Vetëvendosja bën vetëm një reagim, Mimoza Kusari nuk lajmërohet

by Nexhat

Më 8 dhjetor 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin vendosur në listë të zezë, Milan Radojiçiqin, një prej figurave kontraverse të Veriut të Kosovës i përzier me politikë, krim e kontrabandë. Lëvizja Vetëvendosje që drejtohet nga Albin Kurti, figurën e Radojiçiq e kishte përdorur me të madhe për të goditur kundërshtarët politikë e ish-drejtuesit e institucioneve të Kosovës të cilët e kishin takuar atë në kapacitetin e nënkryetarit të Listës Serbe

Megjithatë, vite më vonë pas kalimit nga opozita në pushtet, Vetëvendosje s’kanë arritur t’i shpëtojnë kontaktit me Radojiçiqin, duke qenë një prej veglave të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, që deri vonë ka mbajtur nën çizmen e tij vullnetin e serbëve të Kosovës që jetojnë në Veri të Republikës së Kosovës përmes Listës Serbe. Drejtuesja e Alternativës që Kurti ia ka besuar drejtimin e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, dyshohet se ka biseduar me Radojiçiqin në qershor të vitit 2022, disa muaj pas sanksionimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por cila është historia e këtij raporti të udhëheqëses së deputetëve të VV-së me kriminelin nga Veriu që në shtator të 2023 veshi edhe uniformën e terroristit?

Në mesin e vitit të kaluar, Nacionale kishte publikuar një bisedë që ishte zhvilluar brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës në mes të shefes së deputetëve të VV-së me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simiq. Në atë bisedë të gjatë mes Kusari-Lilës dhe Simiqit ishte lakuar edhe emri i Milan Radojiçiqit, me të cilin Simiq pretendonte se Kusari-Lila kishte biseduar në telefon.

Pas publikimit të përgjimit, përpjekjet e VV-së dhe Kusari-Lilës për të atakuar besueshmërinë një përgjimi të tillë kanë qenë të mëdha. Kusari-Lila s’kishte lënë studio televizive pa dalë për të mohuar kontaktin e saj me bosin e krimit në Veri. Diku thoshte se s’ka pasur fare kontakt, diku ndryshonte rrëfimin dhe pranonte që kishe biseduar me Radojiçiqin vetëm pasi Slavko Simiq ia kishte lëshuar në “interfon” në zyrë.

”Unë personalisht asnjëherë në jetë nuk e kam takuar. Unë nuk mund t’ia ndalojë Sllavko Simiq-it ta thërret Radojçiq-in. Ai ka lëshuar në interfon që ta dëgjojë për pakënaqësitë që ai i kishte me gjërat që ndodhnin në terren”, ishte arsyetuar Kusari-Lila në një deklaratë për Klan Kosova më 10 korrik 2023.

Vetëm dy ditë pas kësaj deklarate, Kusari-Lila në DPT te Fidani në T7 kishte mohuar edhe pretendimet e Slavko Simiq që kishte biseduar pesë herë në telefon me Radojiçiqin.

”Nuk është e vërtetë, le t’i qet 4-5 herë, vetëm një është”,  kishte thënë Kusari-Lila më 12 korrik.

Megjithatë, një pjesë e shkurtër e bisedës së saj me Milan Radojiçiq që është publikuar më 3 qershor 2024 ka rrëzuar rrëfimin e Kusari-Lilës. Në këtë copëz bisede të saj me të sanksionuarin e SHBA-së kuptohet që Slavko Simiq ka qenë ndërmjetësuesi, megjithatë s’bëhet fjalë për bisedë të imponuar me Radojiçiqin përmes interfonit.

Në këto përgjime të reja që janë publikuar të hënën në Nacionale, Slavko Simiq, e telefonon Kusari-Lilën dhe i tregon që është bashkë me Milan Radojiçiqin, dhe më pas ia kalon Kusari-Lilës e cila pranon që të bisedojë direkt me të në telefon.

“Kolege, kam ardhë te Milani, dëgjohu me të”, e nis bisedën Simiq.

Kusari-Lila pranon pa kundërshtimin më të vogël duke thënë “Në rregull”.

Pas kësaj pason një bisedë me Milan Radojiçiq, ku Kusari-Lila i tregon Radojiçiqit që e ka përfunduar punën dhe që po niset për të shkuar në shtëpi.

Nuk dihet se për çfarë ka mundur të bisedoj Kusari-Lila në këtë bisedë me Milan Radojiçiq, meqë është publikuar vetëm kjo pjesë hyrëse e bisedës së saj me njeriun e listës së zezë të SHBA-së.

Por çfarë kishte thënë Simiq për përmbajtjet e bisedave të Kusari-Lilës me kryekriminelin e Veriut?

Në përgjimin e parë, Simiq pretendon se po të zbulonte përmbajtjen e bisedave të Kusari-Lilës me Milan Radojiçiqin, do t’i thyhej koka vetë shefes së deputetëve të VV-së, kryeministrit Albin Kurti dhe të gjithëve me radhë.

Simiq dëgjohet teksa i thotë Kusari-Lilës që ke biseduar “pesë herë me Milanin”.

“Ti thua që ka sanksione nga administrata amerikane. Paramendo që dikush të jetë siç po thua ti që jemi, jo me sjellje si partnerë, pra të jemi të atillë që e inçizojmë këtë bisedë dhe që e lëshojmë në media, por po të them përsëri, nuk do të thyhej veç ty koka, por krejt Vetëvendosjes”, dëgjohet teksa Slavko Simic i drejtohet Kusari-Lilës.

Përgjimi ka nxitur reagimin e zyrtarëve të partive opozitare të cilët kanë kërkuar hetime pasi shefja e deputetëve të VV’së ka ka biseduar me një “terrorist të konfirmuar”.

Eksponentë të VV kanë qëndruar kryesisht e  heshtur.

E zëdhënësi i këtij subjekti Arlind Manxhuka si përgjigje ka zgjedhur të përmend takimet e ish-krerëve të institucioneve me Radojiqin gjatë kohës sa i njëjti kishte qenë nënkryetar i Listës Serbe. Pa e përmendur Kusari-Lilën me emër, Manxhuka në fund të reagimit të tij të sotëm ka thënë se qytetari e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radojiçiq para Qeverisë Kurti dhe ku janë sot

“Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit. Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, ka shkruar Manxhuka.

Vetë Kusari-Lila deri më tani s’ka bërë ndonjë reagim

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy