Bytyçi – Prokurorit: Në mënyrë selektive, në mënyrë shumë të njëanshme po punoni

by Nexhat

Dëshmitari Nuhi Bytyci gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, bëri vazhdimisht kritika për përfaqësuesin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), prokurorin Matt Halling.

Fillimisht, në sallën e gjyqit u prezantua një intervistë e Jakup Krasniqit e realizuar nga dëshmitari për gazetën “Zëri” në të cilën sipas prokurorit Matt Halling, i akuzuari kishte thënë se UÇK-ja nuk i ka marrë armët për të luftuar civilët por forcat dhe policinë ushtarake. Si rrjedhojë, dëshmitari tha se nuk është duke e parë origjinalin dhe se i është vendosur në ekran vetëm transkripti duke e cilësuar këtë si punë selektive dhe të njëanshme.

“Nuk po e shoh origjinalin këtu. Me vjen keq, duhet ta qitni edhe origjinalin si dëshmi konkrete jo vetëm transkriptin. Duhet paralelisht me origjinalin ta qitni edhe transkriptin e jo vetëm transkriptin. Në mënyrë selektive, në mënyrë shumë të njëanshme po punoni. Unë nuk e di mirë anglishtën”, tha dëshmitari.

Mirëpo, prokurori Halling tha se nuk e kanë origjinalin e këtij dokumenti, por vetëm fotografinë e librit të tij. Megjithatë, u kërkua që ky dokument të pranohet në prova gjë e cila u pranua nga trupi gjykues dhe u klasifikua si publike

Pas kësaj, seanca vazhdoi me paraqitjen e disa videove që ishin bërë gjatë kohës së luftës në të cilat ishin të pranishëm edhe të akuzuarit.  Dëshmitari pohoi se ka xhiruar paraqitjen e parë publike të Hashim Thaçit.

“Kjo është xhiruar në Fshatin e Ri (Novosellë) në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit të viti 1998”, tha dëshmitari.

Ai tha se Thaçi kishte emocione por u mundua që të dal me konstatime se UÇK-ja duhet të ketë mbështetje të madhe nga populli dhe lidershipi në Prishtinë.

“Gjatë përgatitjes për xhirimin e kësaj paraqitje publike është shënuar se meqenëse është paraqitja e parë publike dhe z. Thaçi  nuk kishte përvojë në paraqitje publike, kishte emocione të cilat janë të natyrshme në situata të tilla të cilat na ndodhin edhe neve gazetarëve me përvojë, emocionet janë shumë të natyrshme sepse paraqitja publike nënkupton edhe një përgjegjësi publike para publikut dhe z. Thaçi u mundua të dal me konstatime se Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të zë mbështetje më të madhe nga i terë populli dhe nga lidërshipi në Prishtinë sepse në atë periudhë siç dihet, lidërshipi politik në Prishtinë i udhëhequr nga Ibrahim Rugova-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kishte nivel të duhur të përgjegjësisë politike për situatën që ekzistonte”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se e rëndësishme ishte që Thaçi të dilte publikisht sa më serioz dhe me një apel për të unifikuar popullin rreth UÇK-së dhe të fitohej mbështetja nga faktori ndërkombëtar.

Gjithashtu, dëshmitari Bytyçi pohoi se ka filmuar manifestimet që janë bërë për nderë të ditës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1998 në Divjakë.

Më pas dëshmitarit iu prezantua një video gjatë asaj dite në të cilën shiheshin disa persona për të cilët u kërkua identifikim nga Bytyçi

“Nga e majta; komandant Msusi, Ramë Buja, babai i dëshmorit dhe heroit të Kosovës, Nuhi Mazrekut-Zejnullah Mazreku, pastaj është z.Jakup Kransiqit duke folur. Pastaj, është një prind i një dëshmori që nuk ia di emrin, pastaj është Fatmir Limaj, është Naim Maloku, është komandant Musë Jashari dhe është komandant Tahir Sinani”, tha dëshmitari duke shtuar se një person pas Ramë Bujës është civil dhe është prind i një dëshmori që nuk po mundet ta identifikoj.

Ky fragment i kësaj video në të cilën shiheshin personat e identifikuar nga dëshmitari u pranua në prova materiale.

I pyetur se a e kishte xhiruar Fatmir Limajn në po të njëjtën ditë pas ceremonisë së flamurit, dëshmitari pohoi se e kishte bërë një gjë të tillë kur Limaj kishte një revistë shkollore në dorë.

“Po, atë ditë në mbrëmje bashkë me luftëtarët e UÇK-së edhe unë edhe kameramani Abaz Zeka kemi qenë në kremtimin e kësaj feste tonë kombëtare në Fshatin e Ri (Novosellë). Fatmir Limaj kishte në dorë revistën shkollore ‘Gjimnazisti’ të Gjimnazit ‘Xhevdet Doda’ të Prishtinës dhe në atë revistë ishin botuar disa shkrime të disa nxënësve të kësaj shkolle dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ku kishin shprehur vullnetin e tyre për ta ndihmuar ushtrinë, për ta përkrahur në mënyrën e vetë dhe z. Fatmir Limaj iu drejtohet me një apel nxënësve të kësaj shkolle dhe i falënderon për përkrahjen e tyre”, tha dëshmitari.

Më pas u prezantua video në të cilën dëgjohej Fatmir Limaj duke fol dhe duke kërkuar nga nxënësit të mos bien pre e intrigave partiake dhe të jenë në funksion në momentin që  kërkon atdheu.

“Mos bini pre e intrigave partiake ose të disa pseudo profesorëve të cilët iu preferojnë rrugë të moderuara, por të veproni me mendje dhe arsye të shëndoshë dhe të jeni në funksion dhe në moment kur e kërkon atdheu”, dëgjohet duke thënë Fatmir Limaj video kjo e cila u pranua në prova materiale dhe u klasifikua si publike.

Pas kësaj, u prezantua edhe një video tjetër në të cilën dëgjohej Rexhep Selimi duke thënë se Shtabi i Përgjithshëm ka dhënë urdhër që të mos shtihet me armë zjarri në natën e vitit të ri. Ai gjithashtu dëgjohet duke thënë se ky urdhër është duke u respektuar. Dëshmitari tha se këtë intervistë e kishte realizuar më 31 dhjetor 1998.

“Natyrisht që për çdo situatë, Shtabi i Përgjithshëm nxjerrë vendime konkrete. Edhe për natën e Vitit të Ri, Shtabi i Përgjithshëm dha një urdhër që të mos shtihet me armë zjarri. Ky urdhër po respektohet në përpikëri dhe nuk kemi shënuar asnjë rast të thyerjes së rregullave”, tha Selimi në këtë video duke shtuar se edhe në ndërrimin e moteve ushtarët e UÇK-së janë në pozicione dhe detyra e po ashtu po i zbatojnë urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandave të tjera në hierarki

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy