Dy personazhe publikë njoftuan se kishin kancer. Së pari, Olivia Munn, 43 vjeç, zbuloi se ishte trajtuar për kancerin e gjirit. Kate Middleton, 42 vjeç, njoftoi se po merrte trajtim për një formë të paspecifikuar të kancerit .
Diagnozat e tyre nxjerrin në pah një prirje shqetësuese: si në SHBA ashtu edhe në mbarë botën, diagnozat e kancerit po bëhen më të zakonshme tek të rriturit nën 50 vjeç. Deri në vitin 2030, numri i këtyre diagnozave të hershme të kancerit mund të rritet me afërsisht 30 % në mbarë botën.
Provat e reja tregojnë se rritja e kancerit është e lidhur me bakteret e dëmshme në zorrë dhe inflamacionin kronik të shkaktuar nga dieta, shkruan Times.
Shkalla e kancerit në mesin e britanikëve të moshës 25 deri në 50 vjeç është rritur me 24 për qind që nga viti 1990, një rritje më e madhe se në çdo grupmoshë tjetër.
Rritja e dytë më e madhe e regjistruar në numrin e pacientëve, 16 për qind, është shënuar te moshat nën 25 vjeç, ndërsa rritja më e vogël, 10 për qind, është tek ata mbi 75 vjeç.
Ekspertët vlerësojnë se një faktor i ri rreziku për kancerin është ndryshimi i dietës në 30 deri në 40 vitet e fundit, siç është përdorimi i ëmbëltuesve në ushqimet e përpunuara.
Të dhënat u publikuan nga organizata më e madhe e pavarur në botë për kërkimin e kancerit, Cancer Research UK (Cancer Research UK) në takimin e Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO) në Çikago.
Në konferencë u konstatua se pacientët në fazën fillestare të kancerit të zorrës së trashë kanë më shumë baktere të dëmshme të zorrëve, gjë që lidhet me dietën e dobët dhe ushqimin e përpunuar.
Këto baktere mund të çojnë në inflamacion kronik ose mutacione në ADN, të cilat shkaktojnë formimin e tumoreve.Shkencëtarët e Universitetit Shtetëror të Ohajos zbuluan gjithashtu se njerëzit nën moshën 50 vjeç me kancer të zorrës së trashë kishin qeliza që dukeshin 15 vjet më të vjetra se mosha e tyre aktuale, potencialisht për shkak të dëmtimit nga inflamacioni afatgjatë i lidhur me bakteret e dëmshme të zorrëve, sipas Times.
Ngrënia e shumë ushqimeve të përpunuara, mosushtrimi i mjaftueshëm dhe pirja e tepërt e alkoolit janë të gjithë faktorë rreziku për kancerin dhe të gjitha këto çështje janë të përhapura në jetën moderne. Një studim i vitit 2019 zbuloi se shumë nga kanceret më të zakonshme tek të rinjtë amerikanë janë të lidhura me obezitetin, i cili tani prek rreth 40% të të rriturve amerikanë nën 40 vjeç.
Studiuesit pohulumtojnë gjithashtu mbi rolin e mikrobiomës së zorrëve në zhvillimin e kancerit. Gjithçka, nga ajo që hani deri te medikamentet që merrni mund të ndikojë në shëndetin e mikrobiomës suaj të zorrëve, kështu që është e mundur që aspektet e dietës moderne – ose mbështetja e tepërt e sistemit mjekësor tek antibiotikët – mund të kenë efekte. Ekspozimi ndaj ndotësve në mjedis gjithashtu mund të luajë rol.
Edhe ndryshimet e mëdha shoqërore mund të kenë një ndikim. Për shembull, në shumë vende, një numër në rritje i grave tani po zgjedhin të kenë fëmijë më vonë në jetë ose të mos kenë fare, gjë që mund të reflektohet në shkallën e kancerit, thonë studiuesit.
Për të ndihmuar në uljen e rrezikut të kancerit, të gjithë mund të përfitojnë nga këshillat shëndetësore të mbështetura nga provat, si ngrënia e një diete të ekuilibruar, ushtrimet e shumta dhe mospirja e duhanit. Por, në fund të fundit, shanset e çdo individi për t’u prekur nga kanceri janë të ndryshme.
Njerëzit me faktorë rreziku specifik – si shënuesit gjenetikë ose një histori familjare – duhet të konsultohen me një mjek për shqyrtimin e hershëm dhe masat e tjera parandaluese. Identifikimi herët mund të jetë vendimtar, sepse njerëzit me predispozicion gjenetik ndaj kancerit shpesh diagnostikohen mjaft herët.