Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për deeskalim të situatës në veri. Ajo ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen, porse nuk është shumë optimiste për shkak të “qasjes joparimore” të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell.
“Shpresoj se më në fund e bëjnë hapin e duhur para se të zëvendësohen këto institucione nga të tjerat që dalin nga vota që presim së shpejti. Mirëpo, me ato që kemi parë deri tani, si ka qenë trajtimi i padrejtë i Kosovës në raport me shkeljet e Serbisë në procese, nuk është se kam pritje të mëdha…Joparimor ka qenë qëndrimi i Borrellit në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është se kam pritje të larta në hapat e fundit që mund dhe duhet të ndërmerren. Ato masa kanë qenë objekt i një negocimi të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi me emisarin Miroslav Lajçakun në Bratislav…Jo vetëm që janë përmbushur ato pesë pika për të cilat janë kuptuar, por janë mbi përmbushur shumëfish, prandaj nuk e di çfarë të them”, ka thënë Gërvalla
Skeptik për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është edhe njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi.
Sipas tij, BE-ja mund ta vazhdojë status-qoun e masave për shkak të hapave të fundit të qeverisë në lidhje me “dinarin” dhe shpronësimet në veri
“Masat të largohen se janë të padrejta. Por kam frikë se mund të vazhdohet një status-qou pikërisht për hapat që i ka marrë qeveria së fundmi. Me shpronësimin e tokave dhe çështjen e dinarit. Është një jokonsistencë e qeverisë në raport me BE-në dhe kam frikë që mund të kemi inati që mund të mbesin dhe të përfshihen në raport. Por shpresojmë që BE-ja do të përmirësojë atë që ka bërë gabim gjatë muajve të kaluar dhe të propozojë që hiqen masat”, deklaron Arifi.
Borrell pritet të dorëzojë javën e ardhshme raportin lidhur me hapat që ka bërë Kosova në përmbushje të kushteve për shtensionim të situatës në veri. Nga Ky raport varet nëse do të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët