Konjufca: Lidhja e Prizrenit paraqet ditëlindjen moderne të kombit shqiptar

by Merita

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt në Prizren, ku tha se 10 qershori i vitit 1878 është njëra prej dy datave më të rëndësishme për kombin shqiptar.

Ai theksoi se kjo datë, së bashku me 28 nëntorin e vitit 1912 përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme historike, të cilat e konturuan fizionominë politike, kulturore, kombëtare të shqiptarëve si një komb që mëtonte të jetonte i bashkuar, fillimisht brenda një njësie të veçantë brenda Perandorisë Osmane, e pastaj si shtet sovran dhe i pavarur.

banner

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit e paraqet aksionin e parë politik dhe ideologjik të shqiptarëve, ndoshta që nga koha e Kuvendit të Lezhës, e cila promovon interesin e shqiptarëve si një komb unik, i ndryshëm nga Perandoria Osmane dhe i ndryshëm edhe nga popujt fqinj”, tha kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se Lidhja synonte që në Kongresin që do të mbahej në Berlin në atë kohë, t’ia paraqiste fuqive të mëdha interesat e kombit shqiptar, tashmë i pjekur si një etnitet që nuk mund të përfaqësohej nga askush tjetër përpos vetvetes.

“Në këtë kontekst, 10 qershori i Lidhjes së Prizrenit paraqet ditëlindjen moderne të kombit shqiptar, sepse kërkesa e delegatëve të Lidhjes për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, në këndvështrimin e teorive moderniste të kombformimit paraqet edhe themelimin e atdheut politik mbi të cilën synohet të ndërtohet shteti kombëtar”, tha kryetari Konjufca, duke shtuar se përmes aspektit të unifikimit territorial, përbërja e delegatëve të Lidhjes nga të gjitha vilajetet, krahinat dhe konfesionet, paraqiste edhe një dëshmi tjetër të vetëdijes kombëtare.

Sipas kryetarit Konjufca, Lidhja Shqiptare e Prizrenit zbatoi në praktikë thënien e rilindasit Pashko Vasa se “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, kurse motoja e himnit kombëtar “të bashkuar për shpëtim” është ajo që më së miri i shkon Lidhjes së Prizrenit.

Duke kujtuar të gjithë patriotët e kohës, si Avdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka e shumë patriotë të tjerë, kryetari Konjufca tha se Lidhja e Prizrenit është themeli në të cilën u ndërtuan ngrehinat e pavarësisë kombëtare.

“Ajo nxiti, mobilizoi dhe i mbajti gjallë të gjitha kryengritjet shqiptare deri në realizimin e pavarësisë së Shqipërisë”, tha kryetari Glauk Konjufca.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy