Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë rekomandimin për t’i suspenduar nga detyra tre zyrtarë policorë, të cilat dyshohen për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Rasti ka të bëjë me arrestimin e një personi mbrëmë në Drenas, pas një ndeshjeje në palestër sportive.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga zyrtarë policorë në Drenas. Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 10.06.2024 në Drenas rreth orës 20:00 në një ndeshje në palestrën sportive ku pas përfundimit të saj zyrtarët policor kishin arrestuar një të dyshuar”, thuhet në njoftim.
IPK thotë se rasti është regjistruar më pas dhe hetuesit u angazhuan menjëherë.
“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare””, thuhet në njoftim.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, thotë Inspektorati Policor.