Vuçiq i akuzoi amerikanët për Bosnjën, sërish kundërpërgjigjet ambasada e SHBA-së

by Nexhat

Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Ambasadës Amerikane në Sarajevë i është përgjigjur pyetjes së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar ambasadës, në të cilën ka pyetur se “ku shkruan në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit se prona i përket Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Ambasada Amerikane theksoi se “nuk ka nevojë të rishikohet historia e mirë-dokumentuar ligjore dhe vendimet gjyqësore në lidhje me pronën shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë. Siç shprehu Ndihmës Sekretari i Shtetit O’Brien në fjalimin e tij në shkurt 2024 se ‘ka një mënyrë për të folur për pronën duke folur për të në institucionet përkatëse. Por, pikënisja është ende e qartë: prona i përket shtetit”, thuhet në deklaratë për klix.ba.

Në fjalimin e shkurtit të këtij viti të James O’Brien, të cilit i referohet ambasada, theksohet se Bosnja dhe Hercegovina e ruajti rolin e saj në organizatat dhe marrëveshjet ndërkombëtare përmes Dejtonit

“Në vitin 2001, Bosnja dhe Hercegovina nënshkroi Marrëveshjen për Trashëgimin e Ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (SFRJ), e cila u ratifikua nga Asambleja Parlamentare e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe ia atribuoi pronën shtetërore Bosnje dhe Hercegovinës, jo entiteteve”, tha O’Brien në atë kohë.

Kujtojmë se reagimi fillestar i Vuçiqit erdhi pasi Ambasada Amerikane i quajti të rrezikshme konkluzionet e “Kuvendit panserb”, dhe se Republika Serbe nuk është shtet dhe nuk mund të ekzistojë jashtë Bosnje-Hercegovinës.

Vuçiq kishte paralajmëruar dje se do të reagojë dhe se amerikanët nuk do të kenë përgjigje ndaj kundërpërgjigjes ndërsa presidenti serb tek sot ka reaguar përmes Instagramit.

“Pyetja ime e parë për ta është se si, ku dhe që kur shkruan diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve. Neni 3.3 i Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës, aneksi katër i Marrëveshjes së Dejtonit, përcakton se të gjitha funksionet shtetërore të autoritetit që nuk u janë caktuar shprehimisht institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës u përkasin entiteteve”, tha Vuçiq

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së Bosnje e Hercegovinës, prona shtetërore paraqet sende të luajtshme dhe të paluajtshme që shërbejnë për ushtrimin e pushtetit dhe mund të përfshijë edhe të mira publike (lumenj, male, pasuri natyrore, infrastrukturë komunikacioni etj.)

Pronat shtetërore në Bosnje e Hercegovinë nuk kanë qenë në dispozicion prej vitit 2005, kur përfaqësuesi i lartë i atëhershëm në Bosnje e Hercegovinë, Paddy Ashdown, vendosi Ligjin për mos lënien në dispozicion përkohësisht të pronës shtetërore.

Ai është në fuqi derisa Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës të miratojë një vendim të ri për vënien në dispozicion të pronës në nivel shtetëror

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy