“Gjaku i saj i qoftë falë këtij dheu”, Hajdari rrëfen se si serbët ia vranë vajzën 10-vjeçare

by Nexhat

Enver Hajdari, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka rrëfyer për datën 10 qershor 1999, e cila për fëmijët shënoi një ditë të veçantë gëzimi, por edhe një ditë tragjike për shkak të humbjes së vajzës së tij, Besmires.

Hajdari ka përshkruar momentin e rëndë të vrasjes, kur plumbi nga serbët i kishte marrë ëndrrat e lirisë një vajze të vogël, 10-vjeçare

banner

“Atë ditë kur u shënua festa, gëzimi i popullatës me datë 10 ka qenë gëzimi më i madh i fëmijëve përpos neve. Po atë ditë, kemi parë në sytë e fëmijëve që gëzimi më i madh ka qenë i tyre sepse ëndrrat e tyre kanë qenë të mangëta sepse u ka munguar çdo gjë që i ka një fëmijë. Vajza ime ka qenë 10-vjeçare tre muaj, sot kam edhe fletore të saj, kam shkrime kur ka qenë nxënëse shembullore, me të gjitha pesëshe, ka shkruar për Drenicën, duke na parë neve është frymëzuar”, ka thënë Hajdari

Ai ka thënë se në orën 04:10 të mëngjesit të datës 11 qershor forcat paramilitare serbe kanë gjuajtur me armë dhe një plumb e kishte rrokur Besmiren, vajzën e tij.

“Me 11 qershor, iu shuan ëndrrat e lirisë, në atë mëngjes rreth orës katër të mëngjesit. Ndodhi kështu, ajo pjesa e lugit ka qenë ku serbët dhe paramilitarët kanë qenë mbi atë lugë të madh diku 200 metra larg. Pjesa tjetër kah Sllatina ka qenë ushtri jugosllave apo serbe, tash prej mllefi ashtu po mendoj unë prej humbjes që kurrë përjetë në Kosovë nuk do të shkelë këmba e serbi, atë ditë ata janë shfryrë në popullatë, dhe kanë qenë diku mbi 8 mijë vetë të sistemuar në atë lugë, në ato mundësi të rrethanave të luftës. Dhe atë natë 04:10 e mëngjesit kanë gjuajtur dhe një plumb e ka rrok Besmiren në gjumë”, ka thënë ai

Në ato momente, ai tregoi se si u përpoqën ta shpëtonin, por nuk patën fat pasi vajza ishte e mitur dhe plumbi e kishte shpuar përtej.

“Ne kemi pasur edhe mjekë të luftës, edhe në ato momente janë munduar ta japin ndihmën e parë, të gjitha ishin dalur përjashta, kur e kuptuan që është vrarë secili erdhën për ngushëllime. Në atë moment e kam marrë në dorë, me mjekët, por s’ka pasur fat, sepse vajza ka qenë e mitur, dhe plumbi e ka shpuar përtej ishte mbuluar në gjak. Asnjë familje nuk e përjeton mirë humbjen e një familjari e sidomos evladin është e rëndë”, ka rrëfyer Hajdari në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.

Më pas ai ka treguar se Besmiren e kishin varrosur në mal. Pas pesë gjashtë muajsh, ata morën mundësinë për ta varrosur siç duhet

Ai ka thënë se Besmirja, vajza e tij, shkoi me ëndrrën dhe lirinë e Kosovës.

Por, Hajdari ka thënë se qëllimi kryesor për ta ishte çlirimi i Kosovës, dhe ai ka pasur fatin që të kontribuojë si pjesëtar i UÇK-së dhe të japë gjak për vendin e tij, si shumë shqiptarë të tjerë.

“Por një qëllim ka qenë kryesor te na, ka qenë çlirimi, dhe kam pasur fatin që edhe si pjesëtar i UÇK, por edhe gjak ia kam falë këtij vendi si shumë shqiptarë të tjerë. Në ato momente, nuk i kemi pasur mundësitë me varrosë ashtu siç i ka hije në martiri apo dëshmori, e kemi varrosur në mal, dhe mbas pesë gjashtë muajve e kemi marrë dhe sot Besmira është shkuar me ëndrrën dhe lirinë e Kosovës. Gjaku i Besmires dhe shumë tjerëve i qoftë falë këtij dheu”, ka deklaruar tutje Hajdari. /Dukagjini/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy