Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, përmes një ceremonie ka shënuar sot 12 qershorin, Ditën e Çlirimit, në Kampin “Film City”, duke thënë se sot shënohet një çerekshekulli angazhim dhe përkushtim drejt sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.
Komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş, tha se është krenar që është në krye të misionit më të madh aktualisht të NATO-s, ndërsa ka nderuar edhe ushtarët që humbën jetën derisa po shërbenin në mision.
“Është privilegj të qëndroj këtu me të gjithë ju, si Komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë, dhe aktualisht më i madhi i saj; KFOR-i përfaqëson angazhimin e prekshëm, afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të përditshëm të ushtarëve dhe personelit të tij civil”, tha gjeneralmajor Ulutaş.
“Më lejoni të nderoj shërbimin dhe sakrificën e tyre dhe të nderoj ata që humbën jetën duke i shërbyer këtij misioni; pa angazhimin e qindra mijëra burrave dhe grave që shërbyen në KFOR gjatë 25 viteve të fundit, NATO nuk do të mund të kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai
“Roli i KFOR-it mbetet thelbësor; Jam i nderuar të vazhdoj ta ndaj këtë rrugëtim me ju dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje, së bashku me mijëra gra dhe burra me uniformë, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët jam krenar t’i komandoj”, theksoi komandanti i KFOR-it.
Ceremonia u kryesua nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ndërsa morën pjesë presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, shefat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian, si dhe nga ambasadorë të shumtë të vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it dhe udhëheqës fetarë.
KFOR-i tha se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.