Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën solemne të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës përmendi ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë, duke thënë se lufta e tyre nuk u ndal kurrë.
Si u shpreh se beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende, duke thënë se ata janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti,
“Këto 25 vjet na kanë mësuar se liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë, për të duhet luftuar dhe atë duhet mbrojtur çdo ditë, për të duhet punuar ndërshëm e me zell që t’ua kalojmë brezave pasuese si trashëgimi, e kush e di këtë gjë më mirë se ne këtu, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyrë në Hagë , që kanë thuajse katër dekada që luftojnë për liri dhe mbrojtjen e saj”.
“Lufta e tyre nuk u ndal kurrë, sot jemi në vitin 2024, tashmë ata janë burra të thinjur, ndërsa beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende, këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti. E dimë e jemi të bindur që shumë shpejt ata do t’i kemi në mesin tonë, andaj sot në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuar shumë, ua dërgojmë urimet dhe të falat tona e të mbarë popullit të Kosovës, u themi se ju jeni heronjt të luftës e të paqes dhe se askush, me asgjë nuk mund ta ndryshojë kurrë këtë të vërtetë. Qëndroni të fortë, sepse padyshim dielli do të lind përsëri”, u shpreh ai.
Krasniqi gjithashtu bëri një falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës, ku tha se pa sakrifikcën dhe gjakun e tyre, Kosova nuk do të ishte e lirë.
“Meqë liria para së gjithash është vullneti për të qenë përgjegjës ndaj vetvetes, sot më shumë sesa një fjalim të zakonshëm, e ndjej obligim të bëj vetëm disa falënderime të cilat jo vetëm në këtë 25 vjetor të lirisë, por duhet t’i bëjmë përjetësisht brez pas brezi, vit pas viti. Për ata burra dhe ato gra, ato familje të cilat patën vullnetin, guximin dhe besimin për të marrë përgjegjësi për vetveten, rrjedhimisht edhe për të ardhmen e ndritshme të popullit dhe të vendit tonë”.
“Të respektuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve të luftës sonë çlirimtare, përulje dhe nderim të bijat dhe bijtë më të mirë ia falët kësaj toke, ia falet lirisë. Është e pakët të thuhet ajo që dihet, se pa sakrifikcën dhe gjakun e tyre, asnjë nga ne nuk do të ishin sot këtu, e as Kosova nuk do të ishte e lirë. Të nderuar veteran dhe invalid të UÇK-së, faleminderit që pa menduar dy herë vendosët jetërat tuaja në rrezik, për një Kosovë pa robëri dhe një qiell pa re, duke thyer kufinjt e ëndrrave të fëmijeve tanë”.
“ Ju të burgosur politik, intelektual, gazetar e publicist, mësimdhënës, mjek e infermier, minator, artist, sportist, fermer, ndërmarrës, të gjithë ju qytetar të devotshëm të Kosovës, faleminderit për qëndresen dhe kurajon e jashtëzakonshme që keni treguar vit pas viti, dekadë pas dekade, duke qëndruar në këmbë edhe atëherë kur dorëzimi dukej si alternativa e vetme”.