Freskuesja është një pajisje shpëtimtare për ata që nuk kanë mundësi të përballojnë një kondicioner. Kjo pajisje supozohet të na sjellë freskinë e nevojshme për të duruar vapën përvëluese të këtyre ditëve.
Megjithatë, ekspertët thonë se freskueset mund të rrisin rrezikun e drobitjes nga vapa. Nëse temperatura e jashtme rritet mbi 35 gradë, freskuesja nxit rritjen e temperaturës së trupit, thonë studiuesit.
Sipas tyre, frekuesja në të vërtetë fryn ajrin që është më i ngrohtë se trupi. Ata e krahasojnë freskuesen me ventilatorin e sobës që përshpejton pjekjen e një ushqimi të caktuar.
Një studim tjetër thotë se freskuesja është veçanërisht e rrezikshme për shëndetin në klimë të nxehtë dhe të thatë. Megjithatë, përdorimi i saj ndihmon në uljen e temperaturës bazë të trupit dhe mbron zemrën kur klima është e nxehtë por e lagësht.
Valët e nxehtësisë, thonë ekspertët, do të jenë më të shpeshta dhe më të ashpra si pasojë e ngrohjes globale. Vetëm në vitin 2003, u regjistruan mbi 30,000 viktima si pasojë e të nxehtit, ndërsa në vitin 2010, vetëm në Moskë u regjistruan mbi 11,000 viktima.
Shumë studime mbi përdorimin e freskueses dhe ndikimit të saj në shëndet sugjerojnë se kjo pajisje rrit rrezikun e vdekjes gjatë motit përvëlues. Kjo për vetë faktin se freskuesja nuk të freskon. Ajo thjesht qarkullon ajrin, i cili është i të njëjtës temperaturë si ajo e ambientit.
Freskuesja përshpejton avullimin e djersës që do të thotë se shkakton humbjen e madhe të lëngjeve nga trupi. Nëse njeriu djersin shumë dhe nuk zëvendëson lëngjet e humbura, do të dehidratohet më shpejt. Kësisoj ai do të jetë më i drobitur nga vapa dhe problemet që shkakton ajo tek organet./Agroweb