Pandeli Majko ka rrëfyer edhe një episod që mund të kishte çuar në përplasje direkte të Shqipërisë me Maqedoninë.
Ai kujton se si në vitin ’99 kur Shkupi zyrtar bllokoi kufirin duke penguar për 1 javë eksodin e shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, është detyruar që të kërcënojë direkt Maqedoninë
“Ne patëm një debat shumë të ashpër me qeverinë e kohës së Shkupit dhe u detyruam të hapim kufijtë edhe me Maqedoninë dhe brenda një dite mund të kenë kaluar kufirin në drejtim të Korçës 30-35 mijë persona. Ka qenë situata në fillim kur qeveria e Maqedonisë bllokoi gjithë refugjatët që ishin në kufirin mes Kosovës dhe aty përreth një javë a 10 ditë, u bë një tmerr i vërtetë. Dhe ta quajmë kështu ne kërcënuam dhe kërcënuam me të drejtë. Pas disa ditësh ministri i Jashtëm i Greqisë dhe që u bë interlokutor, zoti Papandreu, së bashku me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë dhe përfaqësuesi i palës maqedonase kërkoi ndjesë zyrtare për atë që ndodhi në kufi”, tha majko në A2 CNN
Majko zbulon se fqinjin lindor e kërcënuan drejtpërdrejtë duke i thënë se në rast bllokimi të mëtejshëm të kufirit, Shqipëria do t’u bëjë thirrje shqiptarëve në Maqedoni për t’u ngritur kundër shtetit dhe për të mbrojtur vëllezërit nga Kosova.
“Ose hapni kufirin ose…. do t’u bëjmë thirrje shqiptarëve të ngrihen dhe të mbrojnë vëllezërit e tyre. Dhe, nuk ka gjë më të paimagjinueshme që mund të ndodhte në atë moment, sepse shqiptarët e Maqedonisë janë shumë më të rezervuar për të ndërmarrë lëvizje të natyrave siç mund të ndërmarrin shqiptarët në Kosovë, por shpërthimin e kanë më të veçantë.”