Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nënkupton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën por jo edhe njohjen “de jure” të saj.
Në një intervistë me të përjavshmen beogradase, NIN, ambasadori Hill tha se “evropianët po kërkojnë atë që po kërkojnë, e ajo është normalizimi”
“Ata duan paqe dhe siguri në rajon, sigurisht edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku kufijtë nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që bashkojnë realisht dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe si do të duket jeta e njerëzve. Dhe kjo është arsyeja pse unë do të doja të shihja shumë më tepër përparim në planin e normalizimit dhe është e qartë se BE-ja e ka këtë parasysh gjithashtu”, tha ambasadori Hill.
Vitin e kaluar Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ranë dakord në Bruksel dhe në Ohër për një marrëveshje normalizimi, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, cka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure. Marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese si dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet arritura më parë mes tyre
Me 22 prill, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan ndryshimet në kapitullin e 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Udhëheqja e bllokut ka theksuar se është çështje e vendeve anëtare nëse “normalizimi i marrëdhënieve” nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa ndërmjetësuesit e bisedimeve mbajnë qëndrim të paanshëm.
Me 27 tetor të vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që të njohë ‘de-facto’ shtetësinë e Kosovës, që nënkupton zbatimin e parimeve të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Por, procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.
Të hënën ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se përfundimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe çdo gjë më pak, nuk përmbush synimet për një Evropë të lirë e në paqe”.
Marrëveshja Bruksel-Ohër u pa si një veprim “i ndërmjetëm” në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë perëndimore për të përmbyllur problemet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkanin perëndimor
Shqetësimet u rritën mes shtimit të tensioneve në veriun e Kosovës që kulmuan me 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer të saj. Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.
Në intervistën me të përjavshmen NIN, ambasadori Hill shfaqi shpresën se autorët do të vihen para drejtësisë dhe se “do të ketë njëfarë përgjegjësie për atë që ndodhi”.
“Sigurisht, nuk ka qenë një ditë që ka ndihmuar interesat serbe dhe sigurisht që nuk ka ndihmuar as marrëdhëniet amerikano-serbe”, tha ai.
Serbia një vend aleat i Rusisë dhe kandidat për anëtarësim në BE ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës pas agresionit në Ukrainë.
Ambasadori Hill tha se Shtetet e Bashkuara do të dëshironin që Serbia t’u bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa theksoi se “Serbia ka marrë disa masa shumë konkrete për t’ia bërë të ditur Rusisë se ajo që ka bërë në Ukrainë nuk mund të jetë e qëndrueshme. Herët a vonë, Rusia do të duhet të arrijë një marrëveshje paqeje dhe të tërhiqet nga Ukraina. Unë mendoj se ne kuptohemi mirë me Serbinë”, tha ai, duke theksuar ndërkohë se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të zhgënjyera” që në qeverinë e Serbisë janë përfshirë sërish dy persona të cilët janë nën sanksionet amerikane, zëvendëskryeministri pro rus Aleksandar Vulin dhe ministri pa portofol Nenad Popoviç./VOA