Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot në Bruksel me homologun e Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas, kanë nënshkruar marrëveshjen e përbashkët sipas të cilës Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kosova kësisoj është shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit.
“Zotim ky që e kemi dhënë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, e që është një hap tjetër i ndërmarr nga ana e Kosovës për popullin ukrainas pasi veçse tanimë kemi dorëzuar dy pako mbështetëse ushtarake”.
“Ushtarët tanë do të rreshtohen përkrah partnerëve tanë në këtë front global demokratik kundër agresionit dhe dhunës! Kosova do të vazhdoj të qëndroj krah Ukrainës ngase jemi me të drejtën, lirinë e popujve dhe të drejtat demokratike të shteteve”, ka thënë Maqedonci.