Në konferencën e fundit për media, para sfidës së mbrëmjes së të shtunës në “Signal Iduna Park” përballë Italisë, tekniku i Kombëtares, Silvinjo zbuloi se ka 2-3 dilema për formacionin që do të hedh në fushë.
“Jemi në një grup shumë të vështirë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë përballë Italisë. Gjatë sesionit të stërvitjes do të vendosim për 2 apo 3 emra të tjerë. Por 11 titullare është thuajse e sigurt. Në një stadium aq shumë të mbushur me ngjyra kuqezi, besoj se do të jetë përgjegjësi shumë e madhe për ne.”
Silvinjo u ngacmua nga gazetarët për deklaratën ku tha se është i gëzuar që miku i tij nga koha e Interit, Roberto Mançini nuk është më në stolin e të kaltërve.
I pyetur nëse është i lumtur se Italia e Spaletit është më e dobët se ajo e Mançinit, tekniku brazilian tha se Axurrët mbeten një top skuadër dhe ata zbresin në fushë për të fituar kompeticionin, ndërsa Shqipëria do të luftojë për çdo pikë.
“Nuk kam folur me Roberton për 6 muajt e fundit. Ai bëri një punë të mrekullueshme duke fituar Europianin. E njoh prej 20 vitesh dhe ekziston diferencë e madhe midis Italisë së tanishme dhe asaj të tij. Italia ka lojtarë të mrekullueshëm. Kanë shpejtësi, shkathtësi. Kanë trajner të mrekullueshëm. Spalleti ka bërë punë të madhe. Italia është një top skuadër dhe kur del në fushë del për t’i fituar të gjithë kompeticionet. Por ne do të bëjmë më të mirën e mundur dhe për të dalë me pikë nga kjo sfidë”./A2cnn