Pas zgjedhjeve të 2 qershorit në Komunën e Bujanocit, fitues u shpall Fronti për Ndryshim, udhëhequr nga Arbër Pajaziti.
Në intervistën e tija dhënë medieve, ai ishte shprehur se është shpallur fitues me shumicë votash, por jo edhe zyrtarisht meqë kanë mbetur të rihapen edhe dy vendvotime. Rivotimet u mbajtën të enjten, me 13 qershor, ku Pajaziti fitoi me shumicë votash duke u zgjedhur Kryetar i Komunës së Bujanocit.
Në postimin e tij në faqen zyrtare në “Facebook”, Pajaziti ka shkruar dhe e ka ndarë fitoren me ndjekësit, duke i falënderuar për votat dhe besimin ndaj Frontit për Ndryshim.
“Fronti fitoi 🫶
Me rivotimin e sotëm, në dy vendvotime: në Muhoc dhe në njësinë 46 në Bujanoc, qytetarët e Komunës tonë vendosën që ndryshimi politik të fillojë, dhe Fronti t’i prijë bindshëm atij. Prej sot ka shpresë. Sepse qytetarët patën guxim. Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për Frontin për Ndryshim, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar komunën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm. Përgëzoj partitë e tjera shqiptare që arritën rezultatin për të qenë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal. Sot do të festojmë, e nesër do të punojmë. Bashkë me qytetarët, gjithnjë. Ju faleminderit nga zemra të gjithëve dhe secilit”, shkruan Pajaziti.
Pajaziti ishte shprehur se pas zgjedhjes zyrtare si Kryetar, ai do të kërkoj takim me Kryeministrin Kurti me kërkesë që të punojnë së bashku dhe për më shumë mbështetje nga Kosova.