Në Kosovë fillon të jepet terapia për parandalimin e infeksionit nga virusi HIV

by Nexhat

Nga kjo javë, në Kosovë ka nisur të jepet terapia për parandalimin e infeksionit para ekspozimit ndaj virusit HIV, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Murat Mehmeti, shef i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Virusi HIV e dëmton sistemin imunitar të personit të prekur, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.

banner

Virusi mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.

Terapia “PrEP” (profilaksia para ekspozimit) është medikament, i cili përdoret te njerëz që janë HIV negativ, për të zvogëluar rrezikun e marrjes së virusit.

Sipas Mehmetit, terapia në formë të tabletave, fillimisht do t’u jepet personave LGBTI+, por edhe të tjerëve që e kanë partnerin pozitiv me HIV, ose kanë nevojë për të.

Sigurimi i kësaj terapie ka qenë një projekt i përbashkët i institucioneve të Kosovës, Fondit Global (Global Fund) dhe Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale nga Prishtina, tha Mehmeti.

Organizata ndërkombëtare financiare, Fondi Global, me fokus në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, i ka siguruar barna për dy vjet. Pas kësaj periudhe, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës do ta marrë përsipër sigurimin e tyre, shpjegoi ai.

Terapia në formë tabletash me paketim 30 copë, do të mund të merret në barnatoren e Klinikës Infektive, pas konsultimeve me mjekun.

Agron Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë projekt është punuar prej vitit 2016.

Kosova, sipas Nuhiut, është shteti i dytë në rajon që e ofron këtë terapi falas, pas Maqedonisë së Veriut.

Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër HIV/AIDS-it, më 1 dhjetor 2023, e ka gjetur Kosovën me 13 raste të reja të personave të prekur me këtë virus gjatë atij viti.

Në vitin 2022 në Kosovë ishin shënuar 17 raste të reja me HIV/AIDS – shifër që paraqiti dyfishim rastesh në krahasim me vitin 2021, kur ishin regjistruar tetë të tilla.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy