Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë zhdukur në dy anije të ndara pranë brigjeve italiane, njoftuan ekipet e shpëtimit.
Dhjetë trupa janë gjetur në kuvertën e poshtme të një varke prej druri në Mesdheun qendror nga shpëtuesit nga Nadir, një anije e operuar nga organizata bamirëse gjermane Resqship
Organizata bamirëse tha se shpëtoi 51 persona që ishin në bordin e anijes që po fundosej, e cila besohet se ishte nisur nga Tunizia.
Alarm Phone, një shërbim i linjës telefonike për njerëzit në vështirësi gjatë kalimit të Mesdheut, tha: “Ne u lajmëruam për një varkë në fatkeqësi, me rreth 60 persona. Jo autoritetet e BE-së, por Nadiri i vogël ofroi ndihmë. Fatkeqësisht, ata erdhën shumë vonë për 10 personat që vdiqën në kuvertën e poshtme. Kufijtë e BE-së vazhdojnë të vrasin”
Raportohet se mbytja e anijes ndodhi rreth 64 kilometra në jug të ishullit italian të Lampedusa, shkruan the Guardian.
Ndryshe, 50 persona u raportuan të zhdukur në një anije të mbytur në detin Jon, rreth 160 kilometra larg brigjeve të Kalabrisë në Italinë jugore.
Dymbëdhjetë persona, përfshirë një grua shtatzënë, u shpëtuan nga një anije tregtare dhe u dërguan në portin Roccella Ionica. Ata po udhëtonin me një varkë me vela që ishte nisur nga Turqia ditët e fundit. Në bord kishte njerëz me kombësi iraniane, irakiane dhe siriane.
Në fillim të këtij muaji, 11 trupa u gjetën nga deti në brigjet e Libisë.
Italia është një nga pikat kryesore për njerëzit që përpiqen të arrijnë Evropën, me “rrugën qendrore të Mesdheut” që konsiderohet si një nga më të rrezikshmet në botë.
OKB-ja ka regjistruar më shumë se 20,000 vdekje dhe zhdukje përgjatë rrugës që nga viti 2014.