Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Kurti dhe Vuçiq biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore
Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Kosova e akuzoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e mohoi përgjegjësinë.
Përfaqësuesit e vendeve perëndimore, ndërkohë, u përpoqën disa herë të bindin Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë hapat për zbatimin e marrëveshjes, por pa rezultat.
Po ashtu, shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, shkuan disa herë në Bruksel për të diskutuar për tejkalimin e krizave, por as mes tyre s’kishte përparim