Lidhja Demokratike e Kosovës, të enjten ka mbajtur takim me Departamentin e saj të Shëndetësisë, takim ky nga i cili u shpalosën projektet kryesore nga fusha e shëndetësisë.
Zotimet kryesore të programit politik “Rruga e Re”, sipas kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku janë qendra e re spitalore me investim plot 250 milionë euro; sigurime shëndetësore 3.5% + 3.5%; digjitalizim i plotë i shëndetësisë dhe sistem informativ shëndetësor; menaxhim ndërkombëtar i spitaleve; plot 150 milionë euro investime në pajisje të reja dhe koeficient 150 për stafin shëndetësor.
Çfarë është premtimi për menaxhim ndërkombëtar të spitaleve?
Në programin politik “Rruga e Re” të këtij subjekti politik, i cili është hartuar vitin e kaluar, thuhet se një ndër risitë kryesore në sektorin e shëndetësisë do të jetë edhe ndarja, për herë të parë në historinë e Kosovës, e menaxhmentit shëndetësor nga profesioni shëndetësor.
“Në pjesën më të madhe të Klinikave dhe Spitaleve në Kosovë, mjekët janë njëkohësisht dhe menaxherë. Jo domosdoshmërisht, ndonëse me përjashtime në raste të rralla, mjekët profesionistë, madje dhe me renome botërore, kanë aftësi menaxheriale. Pra, kompetencat e organizimit të objekteve fizike, të pastërtisë, të furnizimit, rregullit e vet shërbimit, janë çështje menaxheriale para se të jenë shëndetësore”, thuhet në këtë program.
Pra, LDK parasheh angazhimin e kompanive profesionale menaxheriale, që për një periudhë të dhënë kohore do të marrin përsipër menaxhimin profesional të klinikave përkatëse.
“Gjatë kohës së menaxhimit të tyre, do të synohet ngritja e kapaciteteve vendore për menaxhim afatgjatë”, thuhet tutje në program.
Përveç këtij premtimi, LDK në programin politik ka zotim edhe reduktimin e listës së pritjes dhe decentralizimin e SHSKUK-së