QKUK-ja me laboratorë të ndryshkur, por saktësia e analizave s’vihet në dyshim

by Nexhat

Në ambiente me lagështi e ndryshk, laborantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kryejnë mijëra analiza në ditë – të gjakut, të pështymës, të urinës e të tjera.

Inventari i dëmtuar dhe mungesa e ventilimit ua vështirësojnë punën edhe më shumë, edhe pse aparaturat janë kryesisht të reja

banner

“Nuk kemi as ku t’i vendosim mostrat për analiza. Jemi shumë ngushtë”, thotë një infermiere e laboratorit të Internes në Klinikën e Biokimisë, që nuk do të identifikohet.

Aparat i vjetër për sterilizim.
Aparat i vjetër për sterilizim.

Biokimia ka nën menaxhim 12 laboratorë që janë të shpërndarë në klinika të ndryshme të QKUK-së

REL-i vizitoi disa nga ta – në Klinikën e Pediatrisë, të Infektives, të Dermatologjisë e të tjera.

Në Pulmologji pa se laboratori ishte improvizuar në një korridor, ndërsa frigoriferi ku ruheshin mostrat ishte i vogël dhe i ndryshkur.

Frigoriferi i laboratorit në Klinikën e Pulmologjisë.
Frigoriferi i laboratorit në Klinikën e Pulmologjisë.

Në Pediatri, përveç aparaturës për analiza që është e re, ambienti i punës dhe inventari duken tejet të vjetër.

“Shpesh, në hapësirat e ngushta ku punojmë, jemi tre ose më shumë teknikë e laborantë”, thotë një punonjëse e laboratorit aty.

Laboratori në Klinikën e Pediatrisë.
Laboratori në Klinikën e Pediatrisë.

Në laboratorin e Emergjencës, mungesa e hapësirave bën bashkë epruvetat, dokumentet e papuçet e stafit.

Laboratori në Klinikën e Emergjencës.
Laboratori në Klinikën e Emergjencës.

Ndërsa në Infektive, dollapi ku ruhen dokumente, duket se mezi qëndron.

Laboratori në Klinikën Infektive
Laboratori në Klinikën Infektive

Për shkak të kushteve të këqija, Klinika e Kardiologjisë ka më shumë se nëntë muaj që e ka zhvendosur laboratorin e saj në Klinikën e Biokimisë.

Në Kardiologji merren vetëm mostrat, ndërsa në Biokimi kryhen analizat.

Një infermiere thotë se stafit i duhet të endet dhjetëra herë në ditë në mes të dy klinikave.

Vendi ku merren mostrat në Klinikën e Kardiologjisë
Vendi ku merren mostrat në Klinikën e Kardiologjisë

Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, thotë se të gjithë laboratorët “janë lënë nën mëshirën e kohës”.

“Në shumicën e tyre nuk ka ventilim, nuk ka ndriçim e nuk duhet të ketë as lagështi… Unë e kuptoj se nuk mund të ketë investime të shpejta e të shtrenjta, por inventarë duhet të kemi, tavolina e karrige”, thotë Veseli për Radion Evropa e Lirë.

Dy lavamanë pa rubinetë dhe pa sapun, të vendosur pranë tavolinave të punës së laborantëve në Klinikën e Kirurgjisë
Dy lavamanë pa rubinetë dhe pa sapun, të vendosur pranë tavolinave të punës së laborantëve në Klinikën e Kirurgjisë

Pavarësisht kushteve të tilla prej vitesh, Veseli siguron se rezultatet e analizave janë gjithmonë të sakta.

“Ato nuk mund t’i kontestojë askush, faktet flasin. Vitin e kaluar kemi pasur mbi dy milionë analiza”, thotë Veseli.

Këtij pohimi i bëjnë jehonë edhe në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), i cili ka nën përgjegjësi QKUK-në dhe spitalet rajonale.

Sipas drejtorit Elvir Azizi, në të gjitha këto institucione “analizat janë të sakta dhe të besueshme”.

Një raft në laboratorin e Klinikës së Pulmologjisë
Një raft në laboratorin e Klinikës së Pulmologjisë

Sa u përket kushteve të punës, Azizi thotë se është duke u punuar për përmirësimin e tyre.

“Së pari jemi duke punuar në centralizmin e laboratorëve, në mënyrë që infermierët të mos lëvizin me mostra nga klinika në klinikë. Pra, do të kemi sistem të ri për bartjen e mostrave”, thotë ai

Azizi tregon, po ashtu, se është formuar një komision që është duke i identifikuar hapësirat e reja për laboratorë.

“Në secilën klinikë do të ketë ndarje për ta”, thotë drejtori i SHSKUK-së.

REL-i pyeti Inspektoratin Shëndetësor të Kosovës, i cili funksionin nën Ministrinë e Shëndetësisë, se si e vlerëson gjendjen në laboratorët e QKUK-së, por ai nuk ktheu përgjigje konkrete.

“Varësisht gjetjeve, jepen edhe rekomandimet – gjithmonë konform kompetencave dhe dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigje.

Preparate për analiza, material shpenzues dhe aparatura që nuk përdoren, të vendosura në laboratorin e Klinikës Infektive
Preparate për analiza, material shpenzues dhe aparatura që nuk përdoren, të vendosura në laboratorin e Klinikës Infektive

Kushtet e këqija në laboratorët e QKUK-së nuk janë të izoluara.

REL-i raportoi në muajin mars për situatë të ngjashme në gjithë Klinikën e Psikiatrisë.

Problemet me aparaturat dhe pritjet e gjata për shërbime janë po ashtu sfida që e përcjellin punën e QKUK-së. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy