Emigrantët shqiptarë në Itali do të përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve, duke filluar nga muaji korrik.
Italia do të njohë dhe do të llogaritë kontributet shoqërore që këta emigrantë derdhin nga puna e tyre për efekt pensioni, shkruan Euronews.al, përcjell Klankosova.tv.
Dokumenti i plotë i marrëveshjes, tashmë është botuar në fletoren zyrtare.
Marrëveshja është nënshkruar në shkurt të këtij viti, midis ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe atij të Italisë.
Kjo marrëveshje pas miratimit nuk kufizohet vetëm për pensionet e pleqërisë por shtrihet edhe te përfitimet e invaliditetit, pensionet familjare, sigurimin nga sëmundjet, barrëlindja dhe papunësia.
Për procedurë, emigrantët shqiptarë që janë në prag pensioni mund të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali.
Rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe shtetas italianë që janë të vendosur prej vitesh në Shqipëri, pritet të përfitojnë nga njohja reciproke e pensioneve.
Marrëveshja bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet.
Një person që ka 10 vjet punë në Shqipëri dhe 15 vjet punë në Itali, mund të përfitojë një pension në Shqipëri dhe një pension në Itali për ato 15 vjet që mund të ketë derdhur kontribute atje.
Qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për zbatimin e njohjes së pensioneve deri në vitin 2032