Takim i ministrave të jashtëm BE – Ballkani, Tajani: Të vazhdojmë drejt anëtarësimit të plotë përpara vitit 2030

by Nexhat

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë të hënën se blloku duhet të vazhdojë punën për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, një zotim i kahershëm, i cili ka fituar në peshë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Këto komente u bënë në prag të një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian me ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe punëve të jashtme

banner

Shefi i diplomacisë italiane, Antonio Tajani tha se Bashkimi Evropian duhet të ecë përpara me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në bllok.

“Ne duhet të vazhdojmë drejt anëtarësimit të plotë përpara vitit 2030 për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas duhet të punojmë me Ukrainën dhe Moldavinë”, tha ai duke nënvizuar se vendet e Ballkanit janë kandidatë prej shumë vitesh

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg tha se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të vazhdojë të mbajë vrullin për anëtarësimin e vendeve fqinje.

“Ne e pranojmë se kemi palë të treta, qoftë Rusia, Kina apo të tjera, të cilët po ushtrojnë ndikimin e tyre. Ballkani dhe Evropa Lindore janë fqinjësia jonë e afërt. Të dyja rajonet janë rreth pesëqind kilometra larg Vjenës. Ne duhet të arrijmë t’i kundërvihemi kësaj unaze zjarri që na rrethon ne, Bashkimin Evropian, me një unazë qëndrueshmërie dhe sigurie. Për mua, kjo është detyra më e madhe gjeostrategjike e Bashkimit Evropian”, tha ministri i jashtëm austriak.

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se integrimi i vendeve që mbështesin vlerat evropiane nuk është vetëm çështje politike.

“Por, janë më shumë çështje sigurie në Evropë, në një kohë kur përballemi me agresionin rus kundër Ukrainës dhe një Bashkim Evropian më i fortë është një përgjigje më e mirë ndaj sfidave të sotme dhe në të ardhmen”, tha ministrja Gërvalla.

Bashkimi Evropian kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të tejkalojnë problemet mes tyre dhe të angazhohen për fqinjësi të mirë. Blloku ka kushtëzuar integrimet evropiane për Kosovën dhe Serbinë me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Në përpjekje për të nxitur zbatimin, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka ftuar për pasditen e së mërkurës në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Sipas paralajmërimit, në orën 15 do të mbahen takimet e ndara të tyre me zyrtarët evropianë dhe më pas një takim trepalësh.

Të dy udhëheqësit nuk janë takuar që nga shtatori i vitit të kaluar ndërsa ende nuk kanë ndërmarr hapa në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshja me gjithe trysninë e bllokut. Kosova nuk ka filluar ende procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka thënë se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.

Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

Ndonëse asnjëri nga udhëheqësit nuk ka folur për pritjet nga takimi i së mërkurës, partitë opozitare në Kosovë kritikuan të hënën qasjen e kryeministrit Albin Kurti kundruall procesit të bisedimeve ndërsa shprehën bindjen se çështja e asociacionit pritet të jetë në qendër të takimit. /VOA

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy