Ministria e jashtme e Greqisë reagoi lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit në Shqipëri, e cila la në fuqi vendimin me dy vite burg për Fredi Belerin.
Vendimi, sipas ministrisë vjen në mbështetje të shqetësimeve që Greqia ka shprehur më herët për shqetësimet për nivelin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri.
Ministria e jashtme greke shpreh gjithashtu se Fredi Beleri është gjithashtu anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian dhe i takon autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë mundësinë atij të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Evropian, duke filluar nga Plenari i tij, korrikun e ardhshëm.
“Që në fillim, Greqia kishte shprehur shqetësimin dhe reflektimin e saj për shumë aspekte të çështjes në lidhje me ndjekjen penale të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Në veçanti, rezervat kishin të bënin me shkeljen e prezumimit të pafajësisë, natyrën e provave të paraqitura, zbritjen e dënimit të tij, vendosjen e një dënimi joproporcional dhe heqjen e së drejtës së tij për të bërë betim, me rezultat që Bashkia e Himarës administrohet prej një viti nga persona që nuk kanë legjitimitet demokratik.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit Tiranë vjen në mbështetje të këtyre shqetësimeve për nivelin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e minoriteteve në Shqipëri.
Beleri sot nuk është vetëm kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himare. Ai është gjithashtu anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian.
Është, pra një detyrim i autoriteteve shqiptare që të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë mundësinë atij të marrë pjesë në punimet e Parlamentit Evropian, duke filluar nga Plenari i tij, korrikun e ardhshëm”, thuhet në reagimin e ministrisë.