Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda, ka shprehur shqetësimet e kësaj partie për nismat e qeverisë në lidhje me miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Gruda tha se këto dy nisma që kanë kaluar në lexim të parë në kuvend janë në kundërshtim me kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për ligjet përkatëse.
“Ligjin për zyrtarë publik. Ky ligj ka arritur në kuvend dhe është miratuar në lexim të parë pa pasur asnjë ditë konsultim publik. Pra, qeveria e ka shkelur procedurën standarde të miratimit të ligjit, duke mos e vënë atë në konsultim publik. Për PDK-në është e papranueshme që një ligj kaq i rëndësishëm që ndikon në mijëra shërbyes civilë të bëhet pa konsultim publik”, tha Gruda, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, për sa i përket projektligjit për KPK-në, Gruda tha se qeveria sërish synon që organin e akuzat ta vë nën kontroll politik, duke dërguar shumë anëtarë politikë në përbërjen e KPK-së, ashtu që sipas tij, të dominohet nga politika.
“Kjo shkelje përsëritet edhe në këtë version të ligjit. Ideja është që të gjendet një rrugë ligjore nga pushteti që KPK-ja të vihet nën kontrollin politik nga partia në pushtet, gjë të cilën s’e kanë arritur herën e parë e shumë hera të tjera, sepse i ka penguar Gjykata Kushtetuese”, tha ai.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të ndalë veprimet, që sipas tij, janë jokushtetuese e po ashtu t’i ndalë edhe shkeljet e Kushtetutës, teksa paralajmëroi që në rast se versionet aktuale të këtyre dy projektligjeve votohen në kuvend, PDK-ja do t’i çojë në Kushtetuese për vlerësim.
“Dua t’i bëjë ftesë qeverisë që të ndalë veprimet jokushtetuese, shkeljet e Kushtetutës sepse është situatë e paprecedentë, ku një qeveri jo që vetëm shkel Kushtetutën, por ajo e përsëritë shkeljen e njëjtë”.
“I njoftojmë të gjithë opinionin se këto ligje nëse kalojnë në versionin siç janë, PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtyre ligjeve”, tha ai.