Njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri, ka thënë se kushtet e vendosura nga kryeministri Albin Kurti, për t’u takuar sot në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, janë të kota.
Ymeri tha se vetëm kushti i tretë për dorëzimin e Milan Radoiçiqit në Kosovë, është më substancial
“Këto kushte janë të kota, me përjashtim të kushtit për Radoiçiqin që është substancial, nëse po mundohemi të themi se nënshkrimi apo letra e Brnabiqit, do ndryshojnë diçka në dialog. Nuk mendoj që ndryshojnë diçka, duke pasur parasysh që nënshkrimi është prej formaliteteve, ndërkohë e kemi një formalitet tjetër që BE ka thënë se marrëveshjen e kanë pranu dyja palët dhe është e obligueshme për të dyja palëve”, tha ai, për RTV Dukagjini
Tutje Ymeri tha se marrëveshja mes dy vendeve ekziston dhe ajo vlen edhe pa u nënshkruar nga Kosova dhe Serbia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve në Bruksel në një konferencë për media tregoi se takimi trepalësh nuk është realizuar sepse Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes bazike, e cila është dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar nga aneksi i zbatimit që është pjesë integrale, nga 18 marsi i viti 2023.
Ashtu siç konfirmoi shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.
Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë
E, një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Kurti.
“Konsiderojmë se Marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohjes së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha Kurti
Duke folur për arsyet e dështimit të takimit bilateral Kurti tha se nga takimi i 14 shtatorit ka ndodhur shumëçka.
Ai përmendi tri garancionet që i ka kërkuar në këtë takim.
“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar”
“E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Brnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”, tha Kurti