Vera më e vjetër në botë u gjet në Carmona, Spanjë, ende e lëngshme pas më shumë se 2000 vjetësh.
Ajo u gjet së bashku me një unazë ari dhe mbetjet e djegura në nekropolin e qytetit të anëtarëve të një familjeje, duke përfshirë dy gra dhe tre burra. Studimi i gjetjeve është publikuar në “Journal of Archaeological Science: Reports”, nga studiues të Universitetit të Kordobës.
“Në fillim u befasuam shumë që lëngu ishte ruajtur”, shpjegon Juan Manuel Román , arkeolog nga qyteti i Carmona. Për të konstatuar se ai lëng i kuqërremtë ishte vërtet verë, dhe jo rezultat i derdhjeve apo proceseve të kondensimit, studiuesit kryen një sërë analizash kimike.
Rezultatet tregojnë se lëngu është verë, që përmban shtatë polifenole të veçanta që janë gjithashtu të pranishme në verërat moderne nga Andaluzia.
Mungesa e një polifenoli të quajtur acid siringik sugjeron se ishte një verë e bardhë, e cila me kalimin e kohës mori një ngjyrë të kuqërremtë. Mbetet e vështirë për të përcaktuar origjinën e saj gjeografike, edhe pse brenda saj janë identifikuar kripëra minerale, të pranishme edhe në verërat e bardha që prodhohen aktualisht në territoret që dikur i përkisnin provincës së lashtë romake të quajtur Betica.