Burrat e dhunuar gjatë luftës në Kosovë thyejnë heshtjen, BBc sjell rrëfimet e dy prej tyre

by Nexhat

Dritoni (emër i ndryshuar) u mbijetoi abuzimeve të shumta seksuale, duke përfshirë përdhunimin në grup në vitin 1999, gjatë 30 ditëve sa ishte në paraburgim në Kosovë. Ndonëse e dinte se kishte edhe burra të tjerë që kishin përjetuar të njëjtën dhunë, për vite me radhë nuk foli për atë që kishte kaluar, me askënd, përveç gruas së tij. “Kur më në fund fola, ndjeva një lehtësim të madh”, kujton ai

Për gati dy dekada, Albani mendonte se ishte i vetmi burrë që kishte përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë

banner

Kur autoritetet e Kosovës miratuan ligjin që mundësonte njohjen zyrtare të statusit të personit të dhunuar gjatë luftës, ai e kuptoi se nuk ishte i vetëm.

Albani (emri i ndryshuar) ishte 17 vjeç kur iku me familjen nga një fshat i Kosovës

Ata u fshehën me të afërmit, por nuk kishte ushqim të mjaftueshëm për të gjithë, kështu që ai mori rrugën për në shtëpi për të marrë një thes me grurë.

Kur hyri në oborr, u ndalua, siç thotë ai, nga një grup personash me uniforma të policisë serbe.

Ata e futën me forcë në shtëpi.

“Në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte”, thotë Albani, i cili tashmë është dyzet vjeç.

“Ndjeva dhimbje dhe mendova se po më goditnin me thikë pas shpine”.

“Pastaj e kuptova që më zhveshën dhe po më bënin më të keqen. Humba ndjenjat”, thotë ai, derisa i dridhet zëri e i rikthehen kujtimet.

Dritoni (emri i ndryshuar) e kupton historinë e Albanit shumë mirë.

Ata të dy nuk janë takuar kurrë, por Dritoni, tani në mesin e të 60-ave, ndan një sekret të ngjashëm

Ai u mbijetoi abuzimeve të shumta seksuale, duke përfshirë përdhunimin në grup në vitin 1999, gjatë 30 ditëve sa ishte në paraburgim në Kosovë.

Ai beson se qendra e paraburgimit drejtohej nga një formacion paraushtarak serb.

Ndonëse e dinte se kishte edhe burra të tjerë që kishin përjetuar të njëjtën dhunë, për vite me radhë nuk foli për atë që kishte kaluar, me askënd, përveç gruas së tij.

Vlerësohet se vetëm gjatë luftës në Kosovë, 10 deri në 20 mijë persona kanë përjetuar dhunë seksuale, edhe pse deri më tani nuk ka pasur asnjë hulumtim për të përcaktuar numrin e saktë.

Serbia iu përgjigj aspiratave të Kosovës për pavarësi duke dërguar forca ushtarake dhe paramilitare. Të dyja palët akuzohen për krime lufte, siç është përdhunimi i civilëve.

Në vitin 2018, Kosova miratoi ligjin që u lejonte të mbijetuarve të abuzimit seksual gjatë luftës që të merrnin statusin e viktimës civile dhe të përfitonin ndihmë financiare.

Ky vendim i inkurajoi Albanin dhe Dritonin që të thyejnë heshtjen e dy dekadave dhe të flasin për një nga tabutë e luftës

Rreth 2 mijë persona kanë aplikuar dhe prej tyre 1.650 kanë marrë statusin e viktimave civile të luftës deri më tani.

Në mesin e tyre janë 84 burra, sipas të dhënave të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, në të cilat kanë pasur qasje gazetarët eBBC-së.

Qeveria e Kosovës fillimisht caktoi shkurtin e 2023-s si afatin e fundit për aplikim, por më vonë afati u shty deri në maj të vitit 2025.

Një sekret i fshehur mirë

Albani jeton ende në shtëpinë modeste të familjes ku u përdhunua.

“Është e tmerrshme, por nuk kam pasur kurrë mundësitë për t’u zhvendosur”, thotë ai, teksa largon shikimin.

Korridori ku ai u dhunua lidh një kuzhinë të vogël, banjën dhe dy dhoma gjumi, vendin ku ai jeton me gruan dhe fëmijët.

Gruaja kryen punët nëpër shtëpi, fëmijët luajnë dhe jeta familjare vazhdon, pa e ditur asnjëri se çfarë ndodhi në shtëpinë e tyre.

“Nuk dua që familja ime ta zbulojë, sepse edhe sot ka momente kur do të doja që të mos ekzistoja fare”.

“Më shkatërruan moralin, ndonjëherë shqetësohem akoma nëse jam mjaftueshëm burrë, është një barrë e rëndë”, thotë Albani me ton të zbehtë.

Para se të aplikonte për statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, Albani foli vetëm një herë për vuajtjet e tij.

Pak ditë pasi u përdhunua, ai ndau sekretin me babanë e tij.

“Ishte i dërrmuar, por i lumtur që mbijetova, sepse tha se mund të më kishin vrarë”, kujton Albani me lot në faqe.

Dritoni mendoi t’i tregonte babait të tij, por nuk e bëri.

“Ishte i moshuar dhe i sëmurë, kisha frikë se do vdiste si pasojë e stresit”, thotë ai.

“Megjithatë, babai im e vërente që diçka nuk ishte në rregull”.

Dritoni mori guximin për t’i treguar gruas së tij, e cila lindi fëmijën e tyre të tretë një javë pasi ai u lirua nga paraburgimi.

“Ajo e dinte se ajo çfarë ndodhi nuk ishte për fajin tim”, shton ai, teksa shtrëngon fytyrën me të dyja duart.

Copëza heshtjeje për vite të tëra

Organizata “Human Rights Watch” vlerëson se përdhunimi gjatë luftës në Kosovë ishte një “instrument i spastrimit sistematik etnik” nga regjimi i presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq.

Për shumë vite, përdhunimi ishte tabu edhe tek gratë shqiptare të Kosovës, thotë Feride Rushiti, mjeke dhe aktiviste për të drejtat e njeriut nga Prishtina.

Rushiti filloi regjistrimin e rasteve të përdhunimeve të kohës së luftës gjatë konfliktit, kur punonte në kampet e refugjatëve në veri të Shqipërisë.

“Stigma ishte e përhapur, burrat i pengonin gratë të flisnin publikisht për atë që u kishte ndodhur, sepse ata mendonin se kjo tregonte se si nuk kishin arritur t’i mbronin”, thotë ajo.

Kur mbaroi lufta, Rushiti themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), një organizatë joqeveritare që ofron mbështetje psikologjike dhe ligjore për personat të cilët i kanë mbijetuar dhunës seksuale

Gratë ishin përfitueset e asaj që organizata QKRMT ofronte që nga fillimi, ndërsa burrat filluan të aplikojnë vetëm në vitin 2014, kur Parlamenti i Kosovës vuri në diskutim për herë të parë ligjin që u lejonte të mbijetuarve të përdhunimit që të merrnin statusin zyrtar të viktimave civile të luftës.

“Pritja tradicionale është që burrat të mbrojnë familjen dhe të mos jenë në pozitën e viktimës”, thekson Rushiti.

Organizatat e specializuara joqeveritare, si QKRMT-ja, bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës për të verifikuar të mbijetuarit e përdhunimit në mënyrë që t’u jepet statusi i viktimave civile të luftës.

Pasi marrin statusin, ata fitojnë të drejtën për një kompensim të përjetshëm prej rreth 230 eurosh në muaj, afërsisht një e treta e pagës mesatare në Kosovë.

Këtë vendim Albani e mori vesh në lajme. Vendimi për t’i dhënë fund heshtjes prej dy dekadash nuk ishte aspak i lehtë

Ai thotë se ka tentuar të trokasë dy herë në derën e QKRMT-së, por zemra i rrihte fort, duart i dridheshin dhe pëllëmbët i djersiteshin.

Të dyja herët ai ndryshoi mendje.

Pragu i QKRMT-së u kalua në pranverën e vitit 2019.

Edhe Dritoni ka dëgjuar për ligjin e ri në lajme, por thotë se ka qenë shumë i stresuar kur ka vendosur të tregojë, saqë as që e mban mend se si ishte.

“Doja shumë që të tregoja se çfarë më ndodhi, por ndjeva se nuk kisha ku të shkoja”.

“Kur më në fund fola, ndjeva një lehtësim të madh”, kujton ai.

Që të dy kanë përdorur antidepresantë dhe qetësues të përshkruar nga mjekët për vite të tëra pas luftës, për simptoma të tilla si ankthi, luhatjet e humorit dhe rrahjet e çrregullta të zemrës

Vetëm kur kontaktuan QKRMT-në, me ndihmën e ekspertëve, filluan të merren me rrënjën e problemit.

“Më thanë se nuk kisha faj”, thotë Albani.

“Unë kam qenë thjesht një civil i pafuqishëm dhe fajin e kanë kriminelët që ma kanë bërë këtë”, shton ai.

Duke reflektuar për vitet e tij të heshtjes, Dritoni thotë se ka luftuar për një kohë të gjatë mbi atë se “kë të raportojë”.

“Unë ende ndihem si një burrë i shkatërruar”.

“Por vetëm kur tregova se çfarë ndodhi, atëherë arrita të gjeja një mënyrë për ta përballuar atë barrë pak më mirë”.

Kur ai shikon lajmet për konfliktet në Ukrainë, Izrael dhe Gaza, shpesh mendon se gjëra të ngjashme po ndodhin edhe në pjesë të tjera të botës

“Raporto, ky është mesazhi im për të gjithë ata që kanë kaluar atë që kam kaluar unë”.

“Nuk është turp”.

Në pritje të drejtësisë

QKRMT-ja po punon gjithashtu për mbledhjen e provave që do t’i sillnin autorët para drejtësisë.

“Shumë të mbijetuar shfaqin gatishmërinë e tyre për të dëshmuar në gjykatë, por në shumicën e rasteve nuk e dinë identitetin e autorëve”, thotë Selvi Izeti, psikologe në QKRMT.

“Rrallëherë marrim emra ose informacione se si dukeshin autorët, pasi disa mbanin maska”.

Dritoni e kujton ndarjen e dhomës së paraburgimit me “pesë apo gjashtë” burra të tjerë që pësuan abuzime të ngjashme, por ai nuk mban kontakt me asnjërin prej tyre.

“Do të doja t’i gjeja dhe të shkëmbeja informacione për autorët, por nuk jam i sigurt se ku t’i kërkoj”.

“Kam frikë se po trokas në derën e gabuar”, thotë ai.

Në një vendim të vitit 2021, i cili konsiderohet historik, ish-polici Zoran Vukotiq nga Kosova u dënua me 10 vjet burgim për përdhunim të grave dhe pjesëmarrje në dëbimin e civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Ishte vendimi i parë për abuzim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Izeti e cilëson si “pikë kthese”.

“Kjo u dha shpresë atyre që i mbijetuan përdhunimit, se autorët mund të dënoheshin edhe shumë vite më vonë”, thotë ajo.

Disa vende në Ballkan, si Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, kanë ligje të ngjashme.

Megjithatë, në Serbi, ligji nuk i njeh personat që i mbijetuan dhunës seksuale si viktima civile të luftës.

Deri më tani, zyrtarisht, asnjë burrë nga komuniteti serb në Kosovë nuk ka folur publikisht për përvojën e përdhunimit gjatë luftës

BBC-ja e ka kontaktuar Ministrinë e Punës, Punësimit, Çështjeve Sociale dhe Çështjeve të Veteranëve të Serbisë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri në kohën kur është publikuar ky tekst.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy