Gazetari Melazim Koci, insistimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti, që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ta nënshkruante Marrëveshjen Bazike, tha se e sheh si jo të qëlluar.
Kjo pasi sipas tij, jo vetëm që BE-ja e ka pohuar që marrëveshjet edhe pa nënshkrim janë obliguese, por sipas tij, edhe me Konvetën e Vjenës, marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të thotë të nënshkruhen me doemos.
“Prandaj, kjo kërkesë më duket e paqëlluar. Dy të tjerat janë të qëlluara, por forma dhe mënyra se si janë prezantuar, nuk kanë qenë. Kurti këto kërkesa ka mundur t’i bënte muaj më parë ose nëse jo muaj më parë, së paku javën e kaluar, gjatë kohës së Lajçakut në Kosovë e t’i thuhej se nuk ka kushte për mbajtjen e takimit në Bruksel sepse ne kemi këto kushte”.
“Të shkohet në Bruksel dhe aty të thuash se nuk dua takim me Vuçiqin se kemi këto tri kushte e pastaj deklarohet se më 2 korrik, kryenegociatorët do të takohen, është kontradiktë”, tha Koci në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se tri kushtet e paraqitura dje nga Kurti, ai për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe dorëzimin e terroristit Millan Radoiçiq bashkë me grupin e tij para organeve të Kosovës, kanë elemente të një agjende elektorale.
“Mua më duket që ka elemente të një agjende elektorale dhe Kosova tash e sa kohë nuk ka strategji të dialogut. Vepron ad-hoc, sot për nesër”, tha ai.