Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të premten aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke i dënuar me burgim katër persona, ndërsa e liroi një tjetër.
Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat
Derisa ende nuk dihet autori apo organizatori i vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, katër të akuzuarit u dënuan për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi vrasjen e tij dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Por, Lista Srpska po e bën fajtor kryeministrin Albin Kurti se “po i persekuton” serbët dhe se po i dënon ata pa prova dhe për “vepra që nuk i kanë kryer”
“Vendimi drakonian, i pabazuar, pa të gjitha provat dhe vendimi i inskenuar politikisht i kuazi-gjykatës së Kurtit kundër katër serbëve në Vidovdan është vazhdimësi e spastrimit etnik të Kosovës përmes dhunës institucionale të qartë dhe të paqartë që regjimi i Kurtit ka kryer në të kaluarën tre vjet kundër popullit serb”.
Kjo parti thotë se “ky Vidovdan do të mbetet i shkruar me shkronja të zeza në vetëdijen e popullit serb” sepse gjykatësit vendosën pa asnjë bazë të dërgojnë në burg edhe “katër serbë të pafajshëm me qëllim të frikësimit të popullit serb”
“Arrestimet dhe vendimet kundër serbëve të pafajshëm, pa asnjë bazë apo provë, nuk janë rastësi, por një mesazh i qartë se kushdo që është serb mund të gjykohet dhe burgoset dhe se të gjitha rregullat, normat ligjore dhe të drejtat e njeriut nuk do të thotë asgjë nëse jeni serb në këto zona.
Lista Srpska thotë se Kurti për ‘Vidovdan’ tregoi se “sa shumë i urren serbët” dhe kinse dëshiron t’i dëbojë.
“Aktakuza që u ndryshua tri herë, akuza të sajuara, dëshmi që nuk dëshmuan asgjë për fajësinë e Roshiqit, Markoviqit, Nedeljkoviqit dhe Jovanoviqit, shënuan këtë farsë, të cilën regjimi i Kurtit e konsideron një proces gjyqësor. Mirëpo, kjo nuk e pengoi Kurtin që të tregojë në Vidovdan se sa shumë i urren serbët dhe sa dëshiron t’i dëbojë të gjithë serbët. Megjithatë, ne duam t’i themi Kurtit dhe pasardhësve të tij se populli serb e di se ky gjyq është një farsë dhe nuk do t’i shohë kurrë Roshiqin, Spasojeviqin, Nedeljkoviqin dhe Jovanoviqin si fajtorë për vrasjen e Oliverit, por si viktima të regjimit të Albin Kurtit”.
“Ky gjykim i turpshëm dhe i rremë është veçanërisht i rrezikshëm sepse cakton fajësinë për njerëzit që nuk kanë bërë atë për të cilën janë dënuar dhe ata që janë autorët dhe drejtuesit e vërtetë mbeten të mbrojtur me atë gjykim. Nga sot në hyrje të sallave të gjyqit në të gjitha gjykatat e Kurtit duhet të shkruhet një rregull tashmë i konfirmuar, nëse është serb, është fajtor! Mendoj se kjo do të mjaftojë që Kurti të kënaqë egon e tij dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të flenë të qetë, ndërsa njerëzit e pafajshëm dënohen pa asnjë bazë”.
Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.