Nga të dhënat e popullsisë, Censit që u zhvillua në muajt shtator-nëntor 2023 në Shqipëri rezultojnë 2.402.113 banorë. Prej tyre 755,950 familje, me madhësi 3.2 anëtarë.
Në krahasim me të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2011, ku popullsia ishte 2,831,741 banorë, rezulton se Shqipëria është tkurrur me 420 mijë shqiptarë.
Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censi i vitit 2001 ishte 3,069,275.
‘Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme. Sot, kemi kënaqësinë të prezantojmë në detaje informacionet që lidhen me këtë proces, duke treguar në të njejtën kohë, se ky cens ka arritur qëllimin për të cilin u krye, ka justifikuar investimet afatgjata, mbështetjen financiare, nevojën e përdoruesve.
Por, nuk do të mjaftohemi me rezultatet që do të ndahen me ju sot, pasi puna dhe angazhimi ynë do të vijojë për sigurimin e informacioneve të detajuara, në nivel qarku, bashkie apo njësie më të vogël gjeografike. Analiza dhe studime tematike do të kryhen për fusha të ndryshme të jetës. Këto analiza do të jenë për përdoruesit një burim informacioni për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë.
Të dhënat, janë një e mirë publike, dhe ju ofrohen hartuesve të politikave, vendimarrëseve, studiuesve, bizneseve, për ti përdorur për planifikimin zhvillimor, analizën e dukurive demografike, sociale, ekonomike dhe mjedisore, marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe zbatimin e tyre në praktikë në dobi të shoqërisë sonë.Në emër të INSTAT dhe Ekipit të cens, falenderoj qytetarët për kontributin e tyre në përfundimin me sukses të këtij procesi, duke dhënë informacion për veten dhe familjarët e tyre.’- tha Elsa Dhuli, drejtoreshë e Insitutit të Stastikave.