Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ishte temë diskutimi në Samitin e Dubrovnikut, ku morën pjesë Ndihmës sekretari amerikan, James O’Brien dhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
O’Brien, deklaroi se Serbia ka premtuar që Millan Radoçiq do të përballet me ligjin lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023, ku u vra një zyrtar policor dhe tre sulmues serbë
Ndihmës sekretari amerikan shtoi shprehu pritjen që Serbia të përmbushë këtë premtim dhe të sigurojë që Radoçiq të kalojë në një proces të plotë ligjor
Ai gjithashtu theksoi se përdorimi i forcës për zgjidhjen e çështjeve duhet të përjashtohet si në Bosnje e Hercegovinë, ashtu edhe në veri të Kosovës
“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator [në Banjskë] duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se zoti Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë të ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien.
E emisari i BE-së, Miroslav Lajçak theksoi qëndrimin e qartë të BE-së që të gjithë ata që kryen aktet kriminale në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës dhe të ndëshkohen.
“Pozicioni i BE-së ka qenë i formuluar dhe është i qartë që ata që i kanë kryer aktet kriminale në shtator të vitit 2024 duhet të mbahen përgjegjës. S’ka imunitet për ta dhe BE-ja e përsërit këtë edhe në takime bilaterale”, tha Lajçak
Serbia e akuzon Radoiçiqin për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator. Atij, autoritetet ia kanë ndaluar shkuarjen në Kosovë.
Autoritetet në Kosovë e vlerësojnë si akt agresioni sulmin në Banjskë dhe kanë fajësuar Serbinë se ka gisht në të. Beogradi ka mohuar përfshirjen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur si një prej kushteve për angazhim në dialog me Serbinë, edhe dorëzimin e Radoiçiqit dhe grupit të tij tek autoritetet gjyqësore të Kosovës. Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia nuk është treguar e gatshme të pranojë këtë kusht, gjatë rundit të fundit të dialogut të mbajtur më 26 qershor