Një i dyshuar është arrestuar të premten për tentim vrasje me armë zjarri në Dragash.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari ka plagosur ish-vjehrrin e tij pas një mosmarrëveshjeje rreth procesit të divorcit me vajzën e tij.
Të dyshuarit i është sekuestruar arma, të cilën dyshohet se e ka përdorur në këtë rast.
“Njësiti i hetimeve të sektorit rajonal DRP Prizren me datën 26.04.2024 ka arritur që të lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarit O. M (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar shqiptar), hetuesit kanë arritur që të gjejnë dhe sekuestrojnë armën, të cilën dyshohet se është përdorë në këtë rast”, ka thënë Gashi.
“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë gjuajtur me armë zjarri dhe ka plagosur viktimën K Q (ish-vjehrrin e tij) nga Dragashi pas një mosmarrëveshje rreth procesit të divorcit në mes të vajzës së tij dhe të dyshuarit. Rasti ka ndodhur jashtë objektit të gjykatës”, ka thënë tutje Gashi.
Ndërsa, viktimës i është ofruar ndihma mjekësore ne QKMF në Dragash dhe më pas i njëjti është dërguar në Spitalin rajonal në Prizren për trajtim mjekësor.