Një skandal i madh ka ndodhur në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, në mes dy institucioneve të vendit – fjala është për stafin e lartë të Presidencës së Kosovës dhe direkt ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, shkruan Periskopi.
Konflikt i ashpër verbal, denoncim në polici e deri në suspendim, është bilanci i këtij skandali i cili ka ndodhur më 10 qershor të këtij muaji në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, zona VIP.
Qe çka ndodhi?
Ardhja në Kosovë e ish kryeministrit Tony Blair për të shënuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka bërë që vet ministrja e Punëve të Jashtme dhe zyrtarë të lartë të Presidencës së Kosovës, të përfshihen në këtë skandal.
Një fotografi e shkrepur nga Donika Gërvalla në momentin kur ka ateruar në aeroportin e Prishtinës Tony Blair – është krejt nisma e këtij skandali që ‘mjeshtrisht’ u mbajt i fshehur nga të gjithë.
Protokoli i Presidencës kishte vendosur, me kërkesë të ish-kryeministrit Tony Blair, që mos të shkrepet e postohet asnjë fotografi në momentin kur Blair arrinë në aeroportin e Prishtinës, por ka qenë ministrja Gërvalla e cila ‘shah n`veti’ kishte vendosur ndryshe.
Krejt këtë mesele e kanë rrëfyer burime të Periskopit, të cilat pikë e presje e kanë shpjeguar në kushte anonimiteti ngjarjen.
Në aeroportin e Prishtinës, për ta pritur ish kryeministrin britanik dhe mikun e madh të shqiptarëve nga Presidenca kishte dal shefja e stafit të Vjosa Osmanit, Learta Hollaj bashkë me disa zyrtarë të tjerë (si pjesë e protokollit).
Derisa ata po prisnin ardhjen e Blair në aeroportin e Prishtinës, si ‘vetëtima’ ishte shfaqur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila ka insistuar që duhet ta ketë një fotografi me Tony Blair në momentin e aterimit, pavarësisht se njerëzit e presidentes Vjosa Osmanin kishin insistuar të kundërtën.
“Në fillim gjithçka ka nisur qetë nga stafi i presidentes, duke i kujtuar ministres Donika Gërvalla se nuk duhet të postohet e as të shkrepet asnjë fotorgafi në zonën VIP të Aeroportit të Prishtinës me ish kryeministrin britanik Tony Blair, e cila ka qenë kërkesë e tij. Kjo assesi nuk e ka bindur kryediplomaten e Kosovës e cila pa një pa dy ka nisur një konflikt të ashpër verbal me stafin e presidentes. E tërë kjo situatë ka mundur të çoi edhe në përleshje fizike“, i ka thënë një burim Periskopit.
Më i ‘ashpër’ në raport me ministren Donika Gërvalla, për rastin “Fotografia Gërvalla – Blair”, ka qenë një pjesëtar i policisë së Kosovës, i cili është mbrojtje e afërt e presidentes Vjosa Osmani dhe pjesë e protokollit në rastin e ardhjes së Blair në Kosovë.
“Donika Gërvalla në shenjë hakmarrje ndaj policit të mbrojtes së afërt të presidentes, D.D. (emri i njohur për redaksinë), e ka denoncuar në polici këtë pjesëtarë për ‘sjellje të pahishjme në raport me ministren Donika Gërvalla“, ka thënë burimi i Periskopit.
Polici me inicialet D.D. ishte supenduar, pas denoncimit të kryediplomates Donika Gërvalla.
Pavarësisht krejt kësaj, kryediplomatja e ka çuar deri në fund insistimin e saj se do të fotografohet e t’i publikoi fotot ne faqen e saj në Facebook me ish kryeministrin birtanik.
Me 10 qershor ajo ka postuar hiç më pak se tre fotografi me ish kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, në momentin që këmba e Tony Blair ka shkelur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.
Për dallim nga Gërvalla, shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, nuk kishte postuar asnjë fotografi në rrjetet e saja sociale.
Krejt çka kishte bërë ajo, ishte shpërndarja e fotografive të Vjosa Osmanit me Tony Blair pas pritjes në hyrjen e Kuvendit të Kosovës nga ana e Osmanit.
Çka thonë Presidenca e çka MPJD për këtë rast?
Periskopi ka pyetur zyrtar të lartë në Presidencë për këtë rast, por që deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
As nga MPJD nuk i janë përgjigjur thirrjeve telefonike të Periskopit.
Si u mbajt i fshehur ky skandal nga policia e Kosovës?
Periskopi ka pyetur policinë e Kosovës për këtë rast, të cilët kategorikisht kanë mohuar se ka pasur konflikt të ashpër verbal natën e 10 qershorit në mes këtyre protagonistëve.
Por, një burim tjetër i Periskopit, ka thënë se për këtë, ka raport zyrtar në polici (për çka edhe ishte denoncuar polici i mbrojtjes së afërt nga Donika Gërvalla), por që është mbajtur i fshehur larg mediave me ‘urdhër’ nga lart. /PERISKOPI/