Të enjten më 4 korrik 2024, pritet që KQZ të shqyrtojë mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Ky i fundit është dënuar me dy vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje
Sipas Relacionit që do të shqyrtohet ditën e nesërme, kjo vepër penale hyn në kategorinë e veprave penale të cilat ndalojnë persona të caktuar që të kandidojnë e të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.
Projekt vendimi pritet të shqyrtohet dhe të kalohet nesër nga Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me shkresën nr.933/1 prot, datë 1.07.2024, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkurtimin e vendimit penal nr. 26, datë 25.06.2024, dhënë në ngarkim të z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 e Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas së cilës është vendosur: “Deklarimi fajtor i të pandehurve Pandeli Kokaveshi dhe Dhionisios (Alfred) Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Në nenin 2 pika 1 shkronja “b” e ligjit 138/2015″ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përcaktohet se vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.
Në nenin 10, pika 1. shkronja “ç”, të ligjit nr. 138/2015, përcaktohet se KQZ brenda kompetencave të veta, “…shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor…”. Në këto rrethana vlerësohet se z. Beleri i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”,-thuhet në relacion.