Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, kanë nënshkruar dy marrëveshje teknike që synojnë konsolidimin e vijimësisë së bashkëpunimit në mes EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore për rritjen e efikasitet të punës për personat e zhdukur.
Sipas njoftimit të EULEX-it, marrëveshjet teknike përfshijnë ofrimin thelbësor të ndihmës nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it për IML-në në të gjitha aspektet teknike të kërkimit, zhvarrosjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“’Marrëveshja teknike për instalimin e zyrave në kontejnerë në IML për një afat të mesëm’ ka të bëjë me instalimin e përkohshëm të zyrave në kontejnerë nga EULEX-i në IML, si dhe synon të sigurojë vazhdimësi për marrëdhëniet e ngushta të punës ndërmjet Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it dhe personelit të IML-së deri në përfundimin e punimeve për riparimin e objektit IML-së, pasi objekti qe dëmtuar nga zjarri. Zyrat në kontejnerë pritet të vendosen gjatë muajve të ardhshëm”.
“Marrëveshjet teknike të nënshkruara sot ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të IML-së për kryerjen e punës për personat e zhdukur, siç parashihet nga “Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale 2024-2034” e miratuar së fundmi”, thuhet në njoftimin e EULEX-it,
Më tej, në njoftim thuhet se ekspertët e EULEX-it ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve klandestine apo të pashënuara si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga lufta e Kosovës dhe periudhën menjëherë pas saj.
“Në veçanti, që nga viti 2009, ekspertët e EULEX-it kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në 806 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 210 zhvarrime. Mbetjet mortore të 507 personave janë identifikuar, duke përfshirë 348 persona të zhdukur”, thuhet në njoftim.