Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka uruar Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, duke thënë se kjo është ditë kur kremtohet demokracia e fitorja e saj.
“Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festë e popullit dhe shtetit amerikan, por dhe burim frymëzimi për këdo anembanë botës, shembull i idealit të lirisë, barazisë dhe e vullnetit të popullit në të drejtën e vet. Është ditë kur kremtohet demokracia dhe fitorja e saj, kur kujtohen me respekt përpjekjet e atyre që me vendosmëri e sakrificë e mbajtën gjallë, deri në realizimin e tij, atë vizion çlirues që do të sillte përparimin më të jashtëzakonshëm brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe efekte të mëdha në mbarë botën”.
Në këtë frymë, por në një kontekst tjetër, Konjufca thotë se SHBA-ja vazhdon t’i prijë përpjekjes së aleancës së demokracive për ta ruajtur idealin e lirisë dhe barazisë së popujve, në luftën e pakompromis kundër autoritarizmit dhe pushtimit.
“Si popull dhe si shtet jemi të lumtur që i përkasim kësaj aleance demokratike, përkrah ShBA-së për të mbrojtur idealet dhe për të realizuar qëllimet tona të përbashkëta. Popullit amerikan dhe Shteteve të Bashkuara dua t’ua uroj nga zemra 4 Korrikun, këtë ditë të madhe të lirisë!”.