Rasti “Brezovica”, biznesmeni i akuzuar thotë se do t’i investonte edhe 25 milionë euro – përmend Veton Surroin

by Merita

Biznesmeni nga Shqipëria, Gentjan Sula, i akuzuar në rastin “Brezovica”, ka thënë se do t’i investonte edhe 25 milionë euro sikur ndërtimet të mos ndaleshin në Parkun Kombëtar Sharri. Ai ka thënë se deri në momentin kur ishin ndalur punimet kishte investuar 7 milion euro.

Këtë e deklaroi të enjten gjatë seancës gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Sula tha se kjo ngjarje ka qenë një zhgënjim për të si një njeri që beson në një kauzë në një vend të pavarur siç është Kosova.

“Pesha e kësaj vepre penale është e paarsyeshme ndaj një investitori të huaj që vie në Kosovë për t’u bërë fat për Kosovën, unë vlerësoj të kem investuar në Kosovë mbi 7 milionë euro të faktuara me dokumente, dhe pasi që janë ndal punimet kanë mbetur pa u investuar dhe 25 milionë euro për pjesën tjetër, kjo e faktuar përmes dokumenteve të miratuara nga Institucione të Pavarura Evropiane Financiare” tha i akuzuari Sula.

I akuzuari Gentjan Sula, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka treguar se i njëjti përfaqëson një grup kompanish të vendosura në Ballkan, Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

“Grupi jonë merret me zhvillime residenciale dhe turistike, njëkohësisht me kontraktime të rëndësishme specifike publike, unë kam të përfunduar master të shkencave të natyrës-dega fizikë e natyrës, eksperienca ime me punë ndërtimesh është 30 vjeçare” ka theksuar i akuzuari Sula

Mbrojtësi i të akuzuarit Sula, avokati Editon Osmani ka kërkuar nga i njëjti të sqarojë në pika të shkurta efektet apo humbjet ekonomike që janë shkaktuar si rezultat i ndërprerjes së punimeve, poashtu të sqaroi nëse dhe buxheti i Kosovës a ka pas ndonjë humbje nga mos realizimi i këtij projekti.

I akuzuari Sula tha se si pasojë e ndërprerjes së punimeve ka pas humbje e poashtu ka pas humbje dhe buxheti i Kosovës.

“Si pasojë e ndërprerjes së punimeve, grupi im janë detyruar që në 24h të kthejnë huat e marra nga Institucionet Financiare, pasi këto institucione këtë zhvillim e kanë ndjerë si risk politik, sigurisht që edhe buxheti Kosovës ka pësuar humbje pasiqë Kompania “Stela” siç vërteton dhe inspektimi nga ATK ka qenë taksa-pagues i rëndësishëm për nivelin që ka pas, dhe ndërprerja ka krijuar humbje”, tha i akuzuari Sula

Në pyetjet vijuese të avokatit të tij mbrojtës Editon Osmani, i akuzuari Sula tha se roli i tij në projektin me kompaninë “Stela” ka qenë si rol iinvestitori që luan funksionin e miratimit të investimeve në Brezovicë, pra sipas të njëjtit ai vetëm ka miratuar investimet e bëra.

“Partneri im në Kosovë është Veton Surroi, kemi qenë dytë investitorë pikërisht për t’u kujdesur që i gjithë investimi në Kosovë të jetë i ligjshëm, unë kam bërë vizita në Kosovë, në ato vizita jam përpjekur të verifikoj ruajtjen e pemëve dhe njëkohësisht shtesat në numrin e pemëve që ne vet si kompani i kemi bërë në atë zonë, ne kemi dyfishuar numrin e pemëve në zonën tonë…” tha i akuzuari Sula

Prokurori Rasim Maloku tha se të akuzuarin Sula e kishte njoftuar se hetimi nuk kishte qenë ndaj investitorëve, por hetimi ishte orientuar ndaj zyrtarëve që në një mënyrë i kushtëzonin investitorët me detyrime joligjore për të investuar në zona të caktuara.

“Ju keni deklaruar se jeni pronar të një prone të paluajtshme në Brezovicë së bashku me Veton Surroi e cila pronë më pas është bartur në Kompaninë Stela Consulting, a është e vërtetë kjo”, e ka pyetur prokurori Maloku të akuzuarin Sula, ky i fundit tha se konfirmon këtë si të vërtetë.

I akuzuari Sula tha se ka qenë në dijeni që ka blerë pronë në zonën e vikendicave siç është quajtur atë kohë.

“Në atë kohë e kam ditur që nga të gjitha anët e pronës rrethohesha nga ndërtime të cilat interpretonin faktin që ndodhesha në një zonë ku ndërtimi është i lejuar, atë pronë e kam parë para se të fillonin ndërtimet por jo para se ta blija si të tillë”, ka thënë i akuzuari Sula

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 18 korrik 2024 ora 09:30

I akuzuari Gentjan Sula gjykohet në gjykim të ndarë nga të tjerët pasiqë kryetari i trupit gjykues Ilir Bytyqi më 6 shtator 2023 kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Sulo i cili akuzohet se ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica” në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, për çka ngarkohet me veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Gjykatësi Ilir Bytyqi, më 16 gusht 2023 kishte njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se mbrojtësi i të akuzuarit Sula, avokati Editon Osmani, i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të mbahet seancë virtuale për shkak të gjendjes shëndetësore të të njëjtit, dhe duke iu referuar dispozitës 281 paragrafit 3, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Andaj, KGjK mori vendim në bazë të së cilit ka lejuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor përmes platformës virtuale, në çështjen penale PKR.nr.160/2020, në Gjykatën Themelore Ferizaj.

“Autorizohet Gjykata Themelore në Ferizaj, të ndërmerr të gjitha veprimet per realizimin e shqyrtimit gjyqësor përmes platformës virtuale duke mundësuar pamjet vizuale dhe dëgjimin e zërit”, thuhej në vendimin e KGJK-së.

Sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disakatësh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy